Meta: Ja pse dështuan të gjitha institucionet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dalë në një deklaratë për mediat në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e djeshme në Aeroportin e Rinasit.

Ai e ka konsideruar të papranueshme ngjarjen e ripërsëritur.

Meta akuzoi se institucionet nuk kanë kryer detyrën dhe se siguria kombëtare si vend anëtar i NATO është seriozisht në rrezik. Presidenti kërkoi nxjerrjen e përgjegjësve në mënyrë sa më të shpejtë dhe marrjen e masave urgjente.

“Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë për këtë komunikim të drejtpërdrejt me ju dhe qytetarët. Përsëritja e kësaj ngjarje brenda një objekti të sigurisë së veçantë është e papranueshme. Si vend anëtar i NATO-s kemi detyrimin të garantojmë dhe standardet më të larta të sigurisë. Si kryetar i Këshillit të Sigurisë kombëtar në 16 maj të vitit 2018 kam organizuar mbledhjen e këtij këshilli me objekt gjendjen e sigurisë kombëtare.

Pika e tretë e axhendës së këtij takimi ishte pikërisht raporti për pikat strategjike portuale dhe aeroportuale të Republikës së Shqipërisë. Kam ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e përgjegjësive të qarta që viheshin re mbi garantimin e sigurisë në aeroportin Nënë Tereza, mangësitë në akses dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në raste rreziku.

Si president e cilësoj grabitjen cenim serioz të sigurisë shqiptare të rendit publik dhe imazhit të Shqipërisë. Ndaj i kërkoj autoriteteve përgjegjëse të kryejnë hetime të plota dhe të thella për zbardhjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Prokuroria të hetojë jo vetëm grabitjen e djeshme por edhe mosmarrjen e masave dhe të marrë masa për të gjitha autoritetet përgjegjëse”, deklaroi Presidenti.