Mikrofonët të lidhur me zinxhirë para Prokurorisë, protesta e gazetarëve

Gazetarë nga e gjithë Shqipëria janë mbledhur sot në një protestë para Prokurorisë së Përgjithshme. Me pankarta në duar dhe me mikrofonë të lidhur me zinxhirë në formë simbolike, gazetarët protestojnë kundër intimidimit, kërcënimit dhe dhunës ndaj gazetarëve.

Protesta është thirrur pas dhunimit të gazetarit të Klan Plus, Renaldo Salianji, i cili u shty nga truproja i Arta Markut, Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.

Dhjetëra gazetare, pjesëmarrës në protestë, dhanë një deklaratë ku thuhet se lajmësi është i shenjtë dhe dënojnë aktet e rënda dhe të papranueshme të ndodhura së fundmi me punonjësit e medias.

“Ditën e premte (12.04) rojet e sigurisë së Prokurores së Përgjithshme të Përkoshme, Arta Marku, ushtruan dhunë fizike ndaj gazetarit Renaldo Salianji, gjatë kohës që po kryente detyrën e tij.

Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën.

Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”.  Dhuna policore qëlloi mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimin të protestës së opozitës.

Komuniteti i gazetarëve dënon këto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias. Këto veprime cenojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias. Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias.

Si reagim i fortë ndaj dhunës që kërcënon gazetarët, heshtjes së institucioneve përgjegjëse për të dënuar këto akte, kemi vendosur që ditën e diel ora 16:00-17:00 para Prokurorisë së Përgjithshme të protestojmë. Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshmë të kërkojë falje për aktin e kryer. Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës.

Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë! Ne protestojmë për çdo akt që cenon lirinë e medias dhe gazetarit! Lajmësi është i shenjtë!”, ishte deklarata zyrtare e gazetarëve.  /real-news.tv/