Moikom Zeqo i shtruar në spital, i publikojnë fotot në gjendje të rëndë

Akademiku i shquar Moikom Zeqo ka lënë ambientet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, ku ishte shtruar prej disa ditësh pasi kurohej nga një sëmundje e rëndë.

Mediat shkruajnë se prej ditës së djeshme Zeqo ka lënë  pavijonin e hematologjisë, pasi gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.

Ky është një lajm i mirë për akademikun Zeqo, por ajo që ka rënë në sy dhe tashmë është kthyer në një fenomen, ka të bëjë me publikimin e fotove të akademikut në gjendje tejet të rënduar.

Këto foto janë publikuar nga vizitorë të ndryshëm, të cilët kanë qenë pranë Moikom Zeqos gjatë këtyre ditëve që ishte shtruar në spital.

Vizitorët të cilët ishin të njohur dhe të panjohur për akademikun, ndoshta me qëllimin e mirë për të treguar se janë pranë Moikom Zeqos, kanë publikuar në rrjetet sociale foto të tij, të cilat janë mjaft shqetësuese për lexuesit dhe ndjekësit e veprimtarisë së Moikom Zeqos.

Kjo rëndon shumë edhe imazhin e personaliteteve të tilla si Moikom Zeqo, duke i paraqitur në atë gjendje tejet të rënduar.

Ky nuk është rasti i vetëm. Mund të kujtojmë këtu publikimin e fotos nga ana e ish-deputetit Kastriot Islamin me shkrimtarin e madh Dritëro Agollin, i cili ndodhej në shtratin e vdekjes.

Fotoja u shoqërua me kritika të shumta, por njerëzit nuk kanë hequr dorë nga një praktikë e tillë duke e përsëritur edhe me akademikun Moikom Zeqo.

Publikimi i fotove të personaliteteve të kulturës shqiptare ndoshta bëhet me qëllimin e mirë, por me sa duket njerëzit e zakonshëm kërkojnë ca çaste lavdie kur vizitojnë në spital figura të tilla dhe nuk ngurrojnë t’ia tregojnë botës në rrjetet sociale./real-news.tv/