Naftëtaret e Ballshit vazhdojnë grevën e urisë. Së fundmi, ato kanë bërë një thirrje ndaj ambasadores amerikane, Yuri Kim.
Naftëtaret kërkojnë që Kim të shkojë dhe t’i vizitojë, për të parë se në çfarë kushtesh jetojnë.
Pyetjes së gazetarit Ervis Kuçi nëse do e linin grevën nëse Rama vjen për të negociuar, naftëtarja i është përgjigjur prerazi se asnjë nga 10 gratë nuk e ka menduar ta lërë grevën pa iu plotësuar kërkesat.
”Gjendja e shoqeve të mia dhe unë jemi shumë rëndë. Me këputje trupi, me dhimbje mezi, por kauza jonë është e drejtë. Kërkojmë pagat e prapambetura të fituara.
Thirrje kryeministrit të tregohet human, të zgjidhë çështjen e naftëtarëve, vëllezërve naftëtarë.
Thirrje ambasadores Yuri Kim, nëse s’me ka dëgjuar ndonjëherë të më dëgjojë sot. Jemi 10 gra që protestojmë për pagat. Ju lutem eja na shiko çfarë gjendje janë katandisur nënat shqiptare. Lotët tona si rrjedhin për bukë për fëmijët tanë. Jemi në një dhomë të uzinës, fëmijët janë në shtëpi pa bukë. Ju lutem na ndihmoni.
Se kam menduar kurrë të lë grevën. E them, kërkoj pagat e prapambetura të fituara me gjyq. Rifillim të punës, që të marr frymë lirisht të ushqejmë fëmijët. S’kanë me çfarë të shkojnë në shkollë. ”- tha naftëtarja.

