Në radhë i 501-ti, vonesa e pritje të gjata te Pediatria

Qytetarët e kryeqytetit përballen me vonesa të gjata dhe pritje në shërbimin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare.

Numri i reduktuar i mjekëve në fundjavë dhe fluksi i madh i fëmijëve që paraqiten me shqetësime shëndetësore ka shtuar ngarkesën e punës për bluzat e bardha.

“Kam rreth një orë e gjysme dhe kam 120 vetë përpara, me të vjella dhe me bark. Shumë keq dhe pale të mbarojë deri në mëngjes.”

Një tjetër prind shpjegon se ka shkuar në Pediatri të dielën në mëngjes për ti bërë një serum vajzës së sëmurë, por nga temperaturat e larta është detyruar të largohet pas dy orë pritje. Ai është kthyer në spital në orët e pasdites, por edhe pasi ka qëndruar dy orë në radhë, i duhet të presë sërish.

“Kam 2 orë që pres. Kam edhe 60 vetë përpara. jam radha 501 kurse aty është radha 382. Nuk kanë as shtretër të na pranojnë. Kam ardhur në mëngjes, më kanë dhënë një copë letër nuk pranuan t’i bëjën serum gocës. Po vij për së dyti, kam pritur 2 orë në mëngjes, 2 orë tani, do pres edhe dy orë të tjera dhe nuk e di a do gjej shtrat për të marrë serumin e gocës.”

Qytetarët e pyetur nga RTV Ora pohuan se shërbimi i pediatrisë ka vështirësi në përballimin e fluksit të vizitave për shkak të mungesës së shtretërve. Burime spitalore thanë se numri i rasteve që paraqiten në ditë është mbi 500, një shifër kjo mbi kapacitetin e urgjencës së pediatrisë.