Numri i njerëzve të infektuar me fruth në rajonin Europian gjatë vitit 2018 është më i larti në një dekadë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë të enjten.
Sipas të dhënave të reja të lëshuara për vitin 2018, 82,596 njerëz janë infektuar dhe 72 vetë (fëmijë dhe të rritur) humbën jetën nga fruthi vitin e kaluar. Gjashtëdhjetë e një për qind e të infektuarve u shtruan në spital, sipas raportit.
Numri i rasteve të raportuara është “më i madhi në këtë dekadë”, thuhet në deklaratën e WHO në të cilën thuhet se numrat janë “3 herë më shumë se numri i përgjithshëm i raportuar në vitin 2017 dhe 15 herë më i madh se numri i njerëzve të prekur në vitin 2016.” Sëmundjet në vitin 2018 janë raportuar në 47 nga 53 vendet që përbëjnë rajonin Europian.
Nëntëdhjetë për qind e rasteve u raportuan nga 10 vende: Ukraina (53,218), Serbia (5,076), Izraeli (2,919), Franca (2,913), Italia (2,517), Rusi (2,256), Gjeorgjia (2,203), Greqi 2,193), Shqipëria (1,466), Rumania (1,987).
SHBA aktualisht po përjeton përhapjen e fruthit në shtetin e Nju Jorkut dhe Uashingtonit. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, fruthi u përhap në Nju Jork dhe Uashington kur udhëtarët nga Izraeli dhe Ukraina u kthyen në SHBA të infektuar.
Fruthi është një virus ngjitës që përhapet përmes ajrit nëpërmjet kollitjes dhe teshtitjes. Simptomat janë ethet, temperaturë e lartë, skuqje në të gjithë trupin, hundë të zëna dhe sytë e skuqur. Zakonisht shërohet pas dy ose tre javëve. Megjithatë, një ose dy nga çdo 1.000 fëmijë që infektohen nga fruthin humbin jetën si pasojë e komplikimeve, sipas raportit.
Raporti i ri gjithashtu zbuloi se në rajon ishin vaksinuar më shumë fëmijë se kurrë më parë, edhe pse numri i përgjithshëm i vaksinave nuk ishte në dispozicion menjëherë. Sidoqoftë, viti 2017 ishte gjithashtu një vit rekord për mbulimin e vaksinave kur 90% e mbulimit për dozën e dytë të vaksinës së fruthit u arrit për herë të parë, sipas OBSH./real-news.tv/

