TË FUNDIT

Oferta nga Kina për dy lojtarët e Flamurtarit

Agustin Torasa dhe Albi Alla ofertë nga Kina e largët. Lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime zyrtare të klubit vlonjat. Për shkak se ende nuk është vendosur nëse do të pranohet apo jo oferta, burimet shprehen të rezervuara për të publikuar emrin e klubit kinez që kërkon dy lojtarët, të cilët aktualisht janë në kontratë me Flamurtarin.

Por, klubi ofertën e ka bërë në mënyrë individuale për lojtarët dhe nuk e ka dërguar te drejtuesit. Mësohet se Torasa dhe Alla kanë vendosur në dijeni klubin për diçka të tillë. Por nuk kanë marrë një përgjigje, pasi drejtuesit kanë kërkuar që kinezët t’i drejtohen klubit me një shkresë zyrtare në mënyrë institucionale dhe më pas të merren në shqyrtim ofertat.

DREJTUESIT

Ofertën kineze për Agustin Torasën dhe Albi Allën e kanë konfirmuar dje për “Panorama Sport” edhe drejtues të klubit. Por, ata thonë se oferta u është bërë lojtarëve dhe se në klub nuk ka mbërritur asgjë zyrtare deri më tani.

Drejtues të klubit vlonjat bëjnë me dije për gazetën se nuk do të marrin në shqyrtim asnjë ofertë, përderisa asgjë nuk ka mbërritur në klub, por ka mbetur thjeshtë kontakt lojtarësh. Nëse klubi kinez do t’i drejtohet klubit vlonjat, atëherë do të merrej në shqyrtim dhe do t’i jepej një përgjigje. Vlonjatët do t’u vendosin kinezëve kushte financiare për t’u dhënë lojtarët. Por gjithsesi, për momentin transferimi i Torasës dhe Allës në Kinë është thuajse e pamundur sepse kampionati ka rifilluar.

“Po, është e vërtetë që ka një ofertë nga Kina për dy lojtarët tanë. Por, në klub nuk na ka ardhur asnjë shkresë zyrtare nga ekipi që i kërkon. Ata kanë qenë thjesht në kontakt me futbollistët tanë. Kështu që ne nuk mund ta pranojmë. Nëse kinezët na drejtohen, do t’u vendosim vlerën financiare që duam për kartonin e lojtarëve. Por është shumë vështirë që ne t’i lëmë lojtarët, shanset janë të pakta”, tha dje një burim pranë klubit vlonjat.

ALLA

Albi Alla është njëri prej lojtarëve që ka një ofertë nga klubi kinez. Por i kontaktuar nga gazeta, Alla nuk ka pranuar që ta prekë këtë çështje, ndërsa deklaron se është i përqendruar te Flamurtari. “Nuk kam asnjë gjë për të thënë për këtë çështje. Në kohë merkatosh qarkullojnë shumë zëra. Unë jam te Flamurtari dhe jam i përqendruar që të bëj maksimumin këtu për të arritur objektivat që klubi ka”, deklaroi Alla./Panoramasport

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat