31.5 C
Tirana
E premte, 12 Korrik, 2024

TË FUNDIT

Panucci: Mora më të mirët, të dyzuarit do të dështojnë

spot_img

Sot nis java e Kombëtares, që do të grumbullohet në kuadër të dy ndeshjeve të para eliminatore të Euro 2020, përballë Turqisë në “Loro Boriçi”, më datën 22 dhe tre ditë më pas ndaj Andorrës në transfertë.

Trajneri Christian Panucci doli sot në një konferencë për shtyp në ambientet e FSHF-së, ku shpjegoi zgjedhjet e tij, mënyrën e lojës së kuqezinjve, por edhe pritshmëritë që ka nga ky edicion eliminarotesh.

Çfarë do të shohim ndryshe në këto eliminatore?
Dohet të ndryshojmë në sjellje, por mënyra e lojës do të jetë po ajo që kemi pasur. Kemi rikuperuar disa lojtarë dhe do të ndryshojmë diçka duke filluar nga Turqia. Do të luajmë 4-3-3, ose 3-5-2, por të shohim si do ecin përgatitjet.

Jeni i kënaqur me grupin e lojtarëve? Janë rikuperuar aq sa të jeni i qetë?
Jam i kënaqur me 23 lojtarët që kam, por varet edhe nga forma. Kemi thirrur edhe Cikalleshin, por ishte i dëmtuar. Ndoji dhe Binaku gjithashtu janë të dëmtuar, por rikuperuam Abrashin dhe Ajetin. Grezda ka luajtur dje, por të shohim në çfarë forme vjen, ndërsa Qosen e kam ndjekur gjatë gjithë dimrit.

A do të nisemi nga ndeshja e fundit e Uellsit, për të përballuar këto eliminatore?
Po, besoj se po. Nuk do të thotë që do të mbrohemi, por të tërhiqemi disi, për të krijuar hapësirën e duhur për t’u nisur në sulm. Vura re se sa më shumë skuadra të hapet, na krijohen vështirësi. Kemi problem kur mundohemi të bëjmë futboll total.

Çfarë duhet të bëjë më shumë Keidi Bare, që të meritojë ftesën?
Ç’hyn Keidi Bare? Është miku yt? (i drejtohet gazetarit). Mund të ketë shumë që mund të vijnë në grumbullimet e ardhshme, ndaj nuk dua të ndalem te emra të përveçëm.

Keni preferuar të merrni lojtarët që kanë minuta, apo ata që u përshtaten ideve të tua?
Nga pak që të gjitha. Ky grup që është këtë herë, thuajse luajnë të gjithë. Problemi është se kaq lojtarë kemi dhe këto janë zgjedhjet. Grezda për shembull është një lojtar i rëndësishëm për ne, ndonëse nuk mund të luajë 90 minuta, sepse ka luajtur pak edhe në Skoci. Nuk ka 90 minuta në këmbë, por të shohim. Kaçe ka luajtur rregullisht këto kohë, ndaj edhe është thirrur. Kanë shumë rëndësi minutat, për t’u thirrur në kombëtare dhe ky grup ka luajtur mjaftueshëm.

Cilat janë pritshmëritë në këtë edicion eliminator?
Duhet t’i marrim takimet me radhë dhe të shohim ndeshje pas ndeshje. Nuk mund të dalim jashtë realitetit, sepse jemi në vazon 4. Nëse bëjmë mirë, dalim të tretët, por nëse bëjmë diçka speciale, dalim të dytët. Nëse jo, unë iki. Duhet të jeni të qetë dhe të përulur, pasi 2016-a i ka bërë keq dikujt.

Pse mungon Ermir Lenjani?
Sepse është Binjaku dhe Aliji. Është çështje teknike, por Lenjani është pjesë e jona dhe mund të jetë në ndeshjet e ardhshme.

Gjatë kësaj periudhe keni takuar lojtarë si Durmishaj, Vrushaj dhe Qose, të cilët edhe i keni ftuar, pavarësisht si kanë shkuar gjërat më pas. E keni ndjekur Flancesko Tahiraj, që ka shënuar 9 gola dhe 5 asiste?
Po i ndjekim të gjithë dhe kam parë edhe Tahirajn, por do të shohim çfarë do të bëjmë në grumbullimet e tjera. Sa u përket të tjerëve, kemi pasur një përgjigje, por më pas ndryshuan dhe zgjodhën të luajnë për Greqinë. Për detajet e tjera pse na refuzuan, duhet të flasë Federata.

Po Taulant Seferin e keni ndjekur?
Po e ndjekim dhe ai është pjesë e jona. Për këtë grumbullim kisha nevojë për më shumë eksperiencë.

Në listë keni vetëm 3 lojtarë anësorë në sulm. Pse kaq pak zgjedhje?
Mund të luajmë edhe pa sulmues. Në krah, kemi Balliun që mund të luajë në sulm, por edhe Grezdën e Uzunin, që luajnë në të dy krahët, prandaj kam marrë vetëm kaq lojtarë.

Keni fituar një miqësore ndaj Turqisë. Sa ka ndryshuar kundërshtari nga ajo ndeshje dhe çfarë duhet të bëjmë për të marrë një tjetër fitore? 
Gjëja që më shqetëson më shumë te Kombëtarja, është se kemi shumë ulje e ngritje. Kemi fituar me Turqinë, më pas kemi humbur me Kosovën ,por kur lojtarët kanë të ndezur zjarrin e brendshëm, mund të bëjmë ndeshje shumë të mira dhe të fitojmë ndeshjen.

Kemi vuajtur shpesh në mbrojtje, por këtë herë na mungon edhe Mavraj. Keni një zgjidhje për këto ndeshje?
Problemi ka qenë se jemi munduar të bëjmë një futboll total, gjë që nuk e kemi bërë mirë. Ne kemi lojtarë që luajnë në klube të mëdha, por më pas është çështje kolektivi, pasi për t’u mbrojtur mirë, duhet të angazhohet e gjithë skuadra.

Si e vlerësoni kundërshtarin dhe cilat janë pritshmëritë për këtë ndeshje?
Turqia është skuadër shumë e fortë dhe me shumë cilësi, që për më tepër sapo ka ndryshuar trajnerin. Janë më të fortë se ne, por duhet të angazhohemi maksimalisht që të synojmë fitoren. Besoj shumë te djemtë e mi dhe shoh pozitivisht, ndaj do të kërkojmë fitoren ndaj Turqisë.

Kush është i avantazhuar në mendjen e trajnerit, Berisha apo Strakosha?
Kur bëj formacionin, vetëm këtu nuk gaboj, sepse kushdo që të luajë, na ofron thuajse të njëjtat garanci. Kam ende një dyshim të vogël se kush do të luajë, por nuk zbuloj më shumë, sepse ju tregova 3 mbrojtës që do luajnë tashmë.

Mungon Under, sa ju lehtëson ky fakt?
Është një mungesë e rëndësishme për kundërshtarin, por ata kanë shumë elementë të tjerë në përbërje. Megjithatë unë preokupohem për lojtarët e mi.

A ka Superiorja lojtarë me potencial për t’u përfshirë në Kombëtare?
Është shumë e vështirë. Kampionati shqiptar i jep pak kombëtares, shumë pak. Në përgjithësi lojtarët bëjnë diçka të mirë jashtë dhe pastaj vijnë në kombëtare. Megjithatë ne po i ndjekim të gjithë.

Vendosni një bast për 6 pikë në dy ndeshjet?
Nuk vë bast, sepse do të më skualifikonin më pas.

A krijojnë presion te skuadra, pritshmëritë e shumta?
Sigurisht që ka presion dhe ky është një presion për mirë. Franca, Shqipëria, Islanda dhe Turqia, janë 4 skuadra që kanë luajtur në Europianin e 2016-ës dhe presioni ekziston, pasi është dëshira për t’ia dalë sërish të shkojnë atje. Megjithatë të luash në kombëtare, duhet të jesh krenar dhe i lumtur, sepse disa mund të kenë bërë edhe kontrata të rëndësishme, kjo falë edhe kombëtares. Mirënjohja është një vlerë e madhe, që nuk duhet humbur asnjëherë. Unë kam një mirënjohje shumë të madhe për Shqipërinë. Kur luhet himni, ndonëse nuk e kam mësuar mirë, emocionohem shumë dhe më vjen të zhvishem dhe të zbres në fushë. Shpresoj që njësoj të ndihen edhe lojtarët.

Në çfarë forme vjen Abrashi?
Ai është një futbollist i rëndësishëm, por duhet të tregojë se sa e rëndësishme është Shqipëria. Është një lojtar i rëndësishëm, që luan në Bundesligë dhe për më tepër, në mesfushë kemi nevojë për dikë që vrapon shumë, mbron dhe sulmon.

Me Vrionin keni përdorur një strategji “dinake”. U “dogj” edhe Mihaj. Mund të ndiqnit të njëjtën strategji edhe për Durmishajn?
Vrioni do të bëhet shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, por këtë herë vendosa të marr vetëm dy sulmues. Durmishaj është një lojtar që na jep thellësinë, ashtu si Vrioni, kur të përfundojë procesin e maturimit. Më pas do të shohim nëse do të luajë me Greqinë. Janë shumë të respektuar edhe ata që kanë zgjedhur një kombëtare tjetër, por problemi është tjetër, sepse një herë të thonë po, pastaj të fikin celularin, apo të nxjerrin në telefon menaxherin. Këta lojtarë nuk do të bëhen kurrë futbollistë të vërtetë, pasi një me autoritet dhe karakter të thotë që në fillim po, ose jo dhe e mbyll aty diskutimin. Mbani mend, këta nuk do të jenë kurrë lojtarë të rëndësishëm. Nuk po flas për emra të veçantë, por në përgjithësi për lojtarë që ndryshojnë humor nga dita në ditë. Unë e kuptoj menjëherë nëse një lojtar do të vijë, apo jo, por thjesht nuk dua të na marrin për budallenj. Unë jam në një federatë serioze, ku ka vetëm po ose jo dhe nuk ka rrugë të mesme. Këtu vë bast, që asnjëri prej këtyre nuk do të bëhet i rëndësishëm. Shkova të shikoj një lojtar dhe erdhën babai i tij, menaxheri, xhaxhai dhe kryetari i bashkisë. A thua se ishte Messi. Tani nuk e di as se ku luan. Atëherë më thoshte se ishte i pavendosur dhe se duhet të fliste me babanë, menaxherin etj. Ndodhin edhe këto gjëra.

Pas eksperimenteve dhe testimeve, keni peng për ndonjë lojtar që nuk arriti të ngrihet në nivelin e pritshmërive?
Këta që kemi marrë, mendoj se janë më të mirët aktualë, sepse kanë formë mjaft të mirë fizike. Kemi marrë Qosen, sepse është i fortë fizikisht dhe i gjatë, pasi në skuadër kemi Abrashin të shkurtër. Kemi Mavrajn që është i skualifikuar për 3 ndeshje, por kemi organikë të mirë dhe do të futemi në betejë me këta. Dua të shoh Sadikun se në çfarë forme vjen, pasi nuk ka luajtur në dy ndeshjet e fundit dhe vjen pas një dëmtimi të gjatë.

Është përfolur për një ofertë të Romës drejt jush…
Nëse do të kisha marrë një ofertë nga Roma, vetëm një sekondë më pas, do të kisha telefonuar presidentin Duka. Edhe unë i kam lexuar, por nuk kam marrë asnjë ofertë. Nëse e kanë menduar, këtë nuk e di. Unë jam korrekt ndaj Federatës dhe kjo vlen më shumë sesa paratë e oferta e Romës. Respekti është gjëja më e rëndësishme dhe unë përderisa paguhem këtu, nuk mund të diskutoj me asnjë klub tjetër, pasi është diçka e një niveli të ulët. Unë vazhdoj të përsëris së jam shumë i kënaqur në Shqipëri. (SS)

spot_img

Latest Posts

spot_img

Më të lexuarat