Pas Elbasanit, përmbytet edhe Berati

Pas Elbasanit, moti i keq me rrebeshe shiu dhe stuhi ka përfshirë prej orës 15:30 edhe qytetin e Beratit, duke përmbytur të gjitha rrugët.

I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka përmbytur rrugët kryesore dhe të lagjeve të qytetit, duke vështirësuar lëvizjet jo vetë të automjeteve, por edhe të këmbësorëve në rrugë raporton BalkanWeb.

Stuhitë e forta të erës dhe rrebeshet e shiut kanë rrezikuar seriozisht edhe rrëzimin e pishave e pemëve në akset nacionale. Stuhitë e fuqishme kanë detyruar gjithashtu të gjitha bizneset të mbyllin qepenat për më shumë se një orë, ndërkohë që rrugët e qytetit janë mbuluar nga uji, gurët dhe degët e pemëve që janë këputur nga era.

Menjëherë në rrugë kanë dalë shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit në bashki, të cilët po zhbllokojnë pusetat e bllokuara nga prurjet dhe janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme që mund të krijohej. Stuhia e fortë gjithashtu ka lënë pa drita gjithë qarkun e Beratit për rreth 2-orë.