Partia Demokratike ka bërë ditën e sotme një denoncim ditën e sotme ndaj qeverisë, ku e akuzon se ka gënjyer lezhjanët se shkollat e dëmtuara nga tërmeti do të hapen.
Ish-deputetja e PD, Lindita Metaliaj ishte e pranishme sot në shkollën “Gjergj Kastrioti”, ku theksoi se shkollat nuk janë ende gati në Lezhë, pavarësisht se qeveria ka lajmëruar hapjen e tyre më 14 shtator.
“Kjo tregon edhe njëherë që Edi Rama mashtroi, gënjeu shqiptarët dhe lezhjanët kur premtoi se të gjitha shkollat që janë dëmtuar nga tërmeti I 26 nëntorit do të rihapen me fillimin e vitit të ri shkollor. Kjo tregon dështimin dhe paaftësinë e qeverisë së Ramës dhe papërgjegjshmërinë e tij personale, për sa kohë që prioritet I kësaj qeverie nuk janë fëmijët tanë, nuk janë fëmijët lezhjanë, nuk është arsimi, sepse ata dhe banda e tij qeverisës në pushtet, fëmijët e tyre i dërgojnë në shkolla private brenda dhe jashtë vendit. Për ta konkretizuar këtë, unë sot ndodhem pranë shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti”, shkollë kjo e cila ka pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit, por që siç e shihni dhe ju vetë, është miratuar për shembje por shkolla është akoma në këmbë. Jo vetëm që nuk është shembur, por nuk është marrë asnjë masë për të zgjidhur problemin”, tha Metalia.
Sipas saj, kjo shkollë ka 620 nxënës të cilët pas tërmetit të 26 nëntorit janë transferuar në shkollën “Beslidhja”, por që vetë shkolla “Beslidhja” aktualisht ka 700 nxënës dhe vetëm 26 klasa.
“Pra, nëse do ti bashkojmë nxënësit e të dy shkollave bëhen afro 1400 nxënës. Do të shkojnë me turne të stërzgjatura që do të përfundojnë në orë të vona të darkës duke sjellë një strapacim dhe problematikë të jashtëzakonshme për prindërit, mësuesit por edhe vetë nxënësit. Dhe sikur të mos mjaftonte kaq, Zyra Arsimore Vendore Lezhë, me datë 21 gusht i bën një shkresë-kërkesë bashkisë Lezhë me anë të së cilës i kërkon që të marrë të gjitha masat për sistemimin e ambientit të ndërtesës së vjetër të gjimnazit ‘Hydajet Lezha’ në mënyrë që të bëhet gati për të pritur nxënësit e shkollës ‘Gjergj Kastrioti’. Dhe bashkia Lezhë, sikur ka rënë nga hëna, me datë 28 gusht i kthen përgjigje Zyrës Arsimore Vendore që ka përcjellë kërkesën e tyre për alokimin e fondeve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave dhe po pret një përgjigje nga ana e tyre. Pra, shikoni ku jemi katandisur!”, tha ajo.

