Përdhunimi i 13-vjeçares, reagon Prokuroria e Durrësit

Përdhunimi i një 13-vjeçareje nga 7 adoleshentë në Kavajë ka tronditur opinionin publik shqiptar.

Ditën e sotme, Prokuroria e Durrësit ka reaguar me anë të një njoftimi ne lidhje me këtë ngjarje mjaft të rëndë.

Sipas Prokurorisë, rasti në fjalë po trajtohet me impenjimin e duhur dhe maksimal në zbatim të detyrës dhe në përputhje me normat dhe detyrimet që parashikon Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur.

Më tej, Prokuroria bën me dije se rasti po hetohet nga Prokurorë të Seksionit për të Mitur pranë kësaj Prokurorie.

“Për këtë janë mbajtur parasysh në lidhje me publicitetin e këtij hetimi kërkesat e parashikuara në këtë Kod dhe sidomos ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e jetës private të të miturit, si dhe me mospublikmin e të dhënave për këtë rast, përcaktime të parashikuara në nenet 33, 43  të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur”, shkruhet në njoftim.

Kujtojmë që janë arrestuar 7 adoleshentë të moshës 14-16 vjeç të cilët akuzohen për përdhunimin ndaj të miturës.

Ndërkohë, një tjetër adoleshent është në kërkim nga policia./real-news.tv