Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka porositur Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, që të mbajnë në fuqi vendimin për taksën 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe autostradën e Dukagjinit ashtu siç ka vendosur ai.
Haradinaj ka thënë se pas deklaratave të zyrtarëve shtetërorë serbë për mohimin e gjenocidit në Kosovë, heqja e taksës nuk duhet të ndodh në asnjë rrethanë.
Sipas tij, një vendim për heqjen e taksës do të thotë vetëvrasje politike.
“Për taksën ka ndryshuar gjendja. VV dhe LDK do ta kenë edhe më zor me heq, pas mohimit të krimeve serbe nga ana e Vuçiçit, nga Gjuriçi, Vulini, Daçiçi. Nuk e kuptoj se si mundet LDK-ja dhe VV-ja me heq taksën dhe me rikthye pushtimin ekonomik të Serbisë në Kosovë. Të cilës Serbi? Ajo që të ka vrarë dhe tash e mohon edhe krimin. Po të vret për së dyti. I bëj apel LDK-së dhe VV-së që mos të gabojnë me heq taksën, se bëjnë gabim të madh dhe tragjik dhe politik. Sepse tani do të mbesin duar thatë se nuk kanë çka të japin më në këmbim të njohjes dhe do të na kushton shtrenjtë”, ka thënë ai.
Një vendim tjetër që Haradinaj e konsideron të paprekshëm është edhe ai për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, për të cilën VV-ja dhe LDK-ja janë shprehur kundër dhe të cilat kanë deklaruar se me të hyrë në qeveri do të ridestinojnë buxhetin e paraparë për këtë projekt.
Haradinaj pretendon se kjo autostradë nuk është vetëm e Dukagjinit, por e të gjithë Kosovës dhe se është në të mirë të zhvillimit ekonomik të vendit.
“Edhe sa i përket autostradës së Dukagjinit. Unë i kuptoj dëshirat e tyre për të pasur mendime ndryshe. Unë jam për të bërë investime në çdo sektor ekonomikë. Nuk ka sektorë të ekonomisë, që zhvillohet pa infrastrukturë sepse është arteria e vet ekonomisë. Nuk është çudi se krejt bota investon në infrastrukturë edhe pse është e shtrenjtë. Jam edhe unë dakord që mos me u vjedh në autostradën e Dukagjinit dhe mos me u bë keqpërdorime, e dallavere dhe këtu i lus të gjithë që nëse din që ka diçka parregullsi të raportojnë në prokurori, polici e medie. Por me dal kundër autostradës, sepse je ka del kundër popullit tënd, kundër nevojës për zhvillim”, ka thënë ai, duke porositur dy partitë që po pretendojnë të udhëheqin me qeverinë që mos të pengojnë zhvillimin ekonomik të vendit.

