fbpx

“8 vite burg!” Gjykata vendos sot për Tahirin

1568130348_tahiri2.jpg

Gjykata e Krimeve të Rënda do të vendosë sot për fatin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri pas pretencës në datë 10 shtator, ku prokuroria kërkoi dënimin e tij me 12 vite burg, që në rast dënimi konvertohen në 8 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar (ulje me 1/3), për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në seancën e kaluar, ku Saimir Tahiri u mbrojt vetë për më shumë se dy orë, e quajti një proces të montuar e të pabazuar në prova duke kërkuar pafajësi, ndërsa deklaroi se ‘as unk më shkon ndërmend dënimi’.

Ndër provat më të rëndësishme që përdori Tahiri duke pretenduar pafajësinë ishin 6 shkresa dërguar ish ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli për mosfunksionimin e radarëve, dokumenti sekret në të cilin Jaled Çela njoftonte prokurorinë për aktivitetin kriminal të Habilajve dhe e-maili e zyrtarit të policisë së Vlorës, Gjergji Kohilës për prokurorin Dritan Prenci duke njoftuar po për aktivitetin kriminal të Habilajve.

Saimir Tahiri përfundoi i pandehur pas 18 muajsh hetimi. Në këtë proces Tahiri është i pandehur me Jaleld Celën, ndërsa për Sokol Boden, ish-drejtor i postës në Dhërmi dhe Gjergji Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, procesi është veçuar nga Krimet e Rënda.

Seanca gjyqësore pritet që sot të ndiqet edhe nga përfaqësues të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303