Prokuroria kërkon rikthimin në burg për Balliun

Klevis-Balliu3.jpg

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu ka shkuar sot në Gjykatën e Apelit për t’u njohur me vendimin e saj, pas protestës me banorët e Unazës, por seanca u shty.

Ndonëse prokuroria kërkon arrestimin e tij, Balliu tha se nuk i trembet këtij gjyqi politik.

“Seanca u shty, erdhëm të merrnin vendimin për një arrestim politik ndaj meje dhe disa banorëve të Unazës. Kjo është thjesht një çështje politike për të trembur qytetarët dhe opozitën që të mos dalë në protestë. Këto janë përpjekje mjerane. Ne vijmë po shteti nuk funksionon, kjo është arsyeja pse qytetarët ndodhen në burgje, kurse banditët janë të lirë. Del Sandër kimiku dhe bën filma, thotë janë dëmtuar policët, po s’ka asnjë polic të plagosur, veç qytetarë të gjakosur. Pavarësisht këtyre nuk ka asgjë që më ndalon mua të jem edhe sot në 7 e 30 tek Unaza, në krahë të banorëve”,- tha ish-deputeti.

Po ashtu edhe avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj u shpreh se prokuroria nuk ka asnjë provë për të kërkuar këtë masë ndaj Balliut.

“Është i paligjshëm si arrestimi ashtu edhe procesi, plus edhe masat që i bashkëngjiten. Ne presim ditën e mërkurë të jepet vendimi”,- tha ai

Klevis Balliu u arrestua më 7 Maj nga policia e Tiranës së bashku me 3 persona të tjerë, pasi ishte në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, të cilët kishin dalë për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama që do të vizitonte një biznes në zone.

Ish-deputeti demokrat u përplas gjatë protestës me efektivët blu, kur këta të fundit filluan të shoqëronin banorët që kishin bllokuar rrugën. Balliu u shoqërua me furgonin e policisë për t’u dërguar në Komisariatin nr. 6 dhe më pas në drejtorinë e policisë së Tiranës ku iu komunikua arrestimi.

Gjykata e Tiranës dha për të masën “detyrim paraqitje” për akuzat: “Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të cilat Balliu nuk i ka pranuar. Ndërsa beteja është zhvendosur tek Gjykata e Apelit.

 

scroll to top