Qindra maturantë dorëzuan sot në Ministrinë e Arsimit një draft me 10 pika, me shkeljet e pretenduara në provimin e Gjuhë-Letërsisë. Sipas maturantëve përmbajtja e testit nuk korrespondonte me kohën e vënë në dispozicion, ndërsa pretendojnë se pyetjet ishin jashtë programit mësimor.
Për t’iu përgjigjur maturantëve, Nina Guga, zv.ministrja e arsimit u ka bërë thirrje atyre që të përgatiten për provimet e ardhshme se kërkesat e tyre janë adresuar.
“Si një ish-drejtore gjimnazi që kam qenë shumë afër jush dhe kemi ndarë e zgjidhur bashkë situata të ndryshme dhe sot në cilësinë e zëvendësministres, ju siguroj se problematikat që ju keni sjellë në lidhje me testin janë adresuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila do të analizojë në grup ekspertësh dhe do të bëjë njoftim publik për gjetjet. Nëse testi rezulton të ketë qenë kaq i vështirë sa shumë nxënës nuk kanë arritur ta realizojnë, ky cut-off do të lëvizë për të gjithë. Por, siç ju ka shpjeguar Qendra e Shërbimeve Arsimore, kjo bëhet në fund, kur analizohen rezultatet. Korrigjimi i testit në mënyrë digjitale është nje korrigjim jo-subjektiv dhe transparent që shmang çfarëdo gabimi të mundshëm dhe jep një rezultat më të shpejtë në kohë,’– tha ndër të tjera Zëvendësministrja.

