Rama ‘injoron’ Haradinajn, zbulohet arsyeja e mosreagimit

Dorëheqja e parevokueshme e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, ka shkaktuar një furtunë reagimesh në Kosovë dhe jo vetëm, madje edhe SHBA kanë vlerësuar aktin e tij.

Vendimin e tij e kanë përshëndetur dhe kundërshtarët më të mëdhenj politik, duke thënë se ky gjest kërkon që të nxjerrë ballëlartë Kosovën.

Mirëpo i vetmi që nuk ka pasur asnjë koment për këtë dorëheqje është kryeministri shqiptar Edi Rama, Twitteri i të cilit përdoret edhe për komunikime nga më të panevojshmet.

Nuk dihet se pse Rama nuk ka një koment për një zhvillim kaq të rëndësishëm që vjen nga ‘Shqipëria e Madhe’, ndërsa nga qeveria i vetmi që ka reaguar është Pandeli Majko, ministri i diasporës.

Një përgjigje plot humor se pse Rama nuk ka reaguar e ka dhënë dhe aktivisti Genc Sejko, i cili shkruan se Rama nuk e kupton fjalën dorëheqje.

“Rama nuk ka reaguar akoma për Haradinajn sepse nuk po kupton fjalën ‘dorëheqje’”, është postimi plot humor i Sejkos.

Reagimi i plotë i Pandeli Majkos:

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti. Ai kreu një akt që i bën nder Kosovës shtet që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare.

Veprat e një njeriu vlejnë më shumë se dobësitë e tij. Sot jam me Ramushin! Të falenderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paraqiti të premten dorëheqjen e pakthyeshme nga posti i tij. Në një vendim të papritur, ai tha se arsyeja për dorëheqjen është “ftesa për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar”.

Dhomat e Posaçme, apo siç njihen në Kosovë, Gjykata e Posaçme me seli në Hagë, u themelua me vendim të parlamentit të Kosovës, ndërsa në të punojnë prokurorë e gjykatës ndërkombëtar dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte dhe të pasluftës.

Prokuroria e Posaçme nuk pranoi të jap ndonjë hollësi rreth ftesës për marrjen në pyetje të zotit Haradinaj që pritet të ndodhë nga mesi i javës së ardhshme.

Dorëheqja e zotit Haradinaj ndodhi në një periudhë të shtimit të trysnisë ndaj tij për të hequr tarifat ndaj mallrave serbe me të cilat Beogradi vazhdon të kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Kosovën.

Ai u shpreh i bindur se pas dorëheqjes së tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja, ndërsa në favor të tyre u shpreh edhe Nisma Socialdemokrate, që është pjesë e koalicionit qeverisës si dhe opozita që hodhi poshtë çdo mundësi të krijimit të ndonjë qeverie të re apo qeverie teknike. Çështja tash i mbetet presidentit Hashim Thaçi, i cili duhet të këshillohet me forcat politike në vend.