fbpx

Respektimi i masave/ Gjoba 20 lokaleve dhe 612 qytetarëve për maskën

gjoba-1_1506182555-9266172-570x312.jpg

Policia ka raportuar sot mbi 24 orët e fundit në lidhje me respektimin masave anti ‘covid’.  612 qytetarë dhe 20 administratorë lokalesh janë gjobitur në 24 orët e fundit pasi nuk respektuan masat anti-covid të vendosura nga qeveria.  Qytetarët janë gjobitur me nga 30 mijë lekë secili pasi u kapën pa maskë në rrugë.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 7 qytetarë që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve policia ka konstatuar 20 lokale, në ambientet e të cilëve kishte muzikë pas orës 20:00 dhe nuk respektoheshin protokollet e sigurisë. Secili prej administratorëve të këtyre lokaleve është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë.

Në zbatim të dy urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë, për shtimin e masave kufizuese, policia deklaron se ka vijuar kontrollet intensive në rrugë dhe në ambiente të ndryshme në të gjithë vendin, prej orës 22:00 deri në orën 06:00.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara në këtë fashë orare, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se  përgjithësisht qytetarët i kanë zbatuar urdhrat për kufizimin e lëvizjeve, ndërsa disa qytetarë  janë këshilluar për shkak se ishin të paqartë për rregullat e lëvizjes. Policia e Shtetit falënderon qytetarët që respektojnë masat kufizuese dhe bën thirrje që qytetarët  të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë në shërbim të qytetarëve, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e tyre, ndaj dhe është i rëndësishëm zbatimi i masave kufizuese, pasi kanë si qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19”mbyllet njoftimi i policisë.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303