Procesi i kalimit nga Ekonomia e Centralizuar drejt Ekonomisë së Tregut, në fillim të viteve ‘90, nuk pritej të ishte i lehtë për vendin tonë. Por, pakkush mund të mendonte asokohe se, edhe pas tre dekadash, do të diskutohej për domosdoshmërinë e aplikimit të një Modeli Ekonomik për nxitjen e një zhvillimi të qëndrueshëm. Dhe kërkesa për një model të ri shtrohet, sepse ekonomia shqiptare po kalon aktualisht një situatë të vështirë. Kryesisht rritja ekonomike ka qenë e mbështetur te konsumi, remitancat dhe importet dhe jo te prodhimi, investimet dhe eksportet; ka qenë më shumë me natyrë sasiore ekstensive, sesa një rritje ekonomike cilësore, që buron nga sektorë e aktivitete me eficencë të lartë dhe teknologji e inovacione moderne. Në Shqipëri, faktorët kryesorë të nivelit problematik të produktivitetit kanë të bëjnë me përdorimin e ulët të teknologjive të reja e inovacioneve në proceset e prodhimit dhe shërbimit; me cilësinë e ulët të formimit profesional të forcës së punës dhe të menaxherëve; me strukturën e brishtë të bizneseve dhe të ekonomisë sonë në tërësi, të dominuar tërësisht nga bizneset mikro dhe të vogla; me mungesën sistematike të politikave ekonomike e zhvillimore, të adresuara në rritjen e produktivitetit; me strukturën e IHD etj. Rritja ekonomike për një vend si Shqipëria mund të nxitet në disa mënyra, ku ndër më kryesoret mund të përmendim:
1.Nëpërmjet borxheve dhe kredive nga jashtë; 2. Nëpërmjet eksporteve të lëndëve të para e burimeve natyrore, disa produkteve të gatshme
dhe një kategorie të caktuar shërbimesh;
3. Nëpërmjet ristrukturimit ekonomik dhe reformave të vërteta strukturore, rritjes me prioritet të prodhimit të brendshëm, diversifikimit të produkteve dhe shërbimeve, adoptimit të teknologjive të reja, rritjes së
produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.
Dy mënyrat e para gjykohet se janë me nivel të lartë risku dhe jo aq “të qëndrueshme” në raport me të tretën. Ta mbështesësh rritjen ekonomike vetëm tek investimet apo kreditë e huaja, do të thotë të ushqesh iluzionin e një jetese dhe zhvillimi përtej mundësive të tua konkrete, do të thotë të jesh i varur shumë nga flukset, “devijimet” dhe “kapricot” e shpeshta të tregjeve financiare ndërkombëtare, do të thotë të prodhosh një rritje ekonomike jo reale të mbështetur në monedha të fuqishme e të mbivlerësuara, të cilat sintetizojnë një strukturë ekonomike e konsumi larg realitetit tonë.

