Deputetja, Rudina Hajdari njëherësh dhe kryetare e grupit Demokrat në Kuvend ka reaguar përsëri në lidhje me zgjedhjet lokale të kryera më 30 qershor. Hajdari duke shpërndarë fjalët e Ambasadës Amerikane për zgjedhjet lokale ka përshëndetur deklaratën e tyre. Ajo është shprehur se Reforma Zgjedhore është një fitore për atë pjesë të opozitës që ruajti vlerat e demokracisë përpara bashkatdhetarëve dhe partnerëve ndërkombëtar.
Ndër të tjera Rudina Hajdari ka deklaruar se ndihet e privilegjuar dhe krenare që do ta udhëheq reformën zgjedhore për tu dhënë demokratëve sistemin më të mirë të përfaqësimit, në mënyrë që të avancojmë drejt rrugës Europiane.
Ambasada Amerikane ndër të tjera në reagimin e saj u bëri thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve të ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR.
“Përshendesim deklaratën e Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen absolute të Reformës Zgjedhore. Reforma Zgjedhore është një fitore për atë pjesë të opozitës që ruajti vlerat e demokracisë përpara bashkatdhetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke treguar vendosmëri për të respektuar shtetin e së drejtës dhe institucionet e tij, si dhe duke mos braktisur elektoratin dhe parimet demokratike. Ndihem e privilegjuar dhe krenare që do ta udhëheq këtë reformë për tu dhënë demokratëve sistemin më të mirë të përfaqësimit, në mënyrë që të avancojmë drejt rrugës Europiane.” ka deklaruar Hajdari.

