fbpx

Sa vlen një pasaportë?

second-passport-russia-citizenship-by-investment.jpg

Lëvizja lirisht në të gjithë botën është një privilegj për këdo që jeton në Perëndim apo që ka para për të blerë shtetësinë e një vendi tjetër.

Shumë vite më parë, në aeroportin ndërkombëtar të Kuala Lumpur në Malajzi kam parë sesi bota është e ndarë mbi bazën e një hierarkie të identifikueshme nga vendi ku ndodhen njerëzit: sporteli për vizat e lëshuara në ardhje, qelitë e mbajtjes së përkohshme dhe radha e zakonshme në kontrollin e pasaportave. Qytetarët e Juglindjes aziatike, me lëkurën e errët, mbanin radhë për mundësinë e rrallë e sigurimit të vizës në ardhje, qelitë e mbajtjes mbusheshin sidomos me zezakë afrikanë, ndërsa perëndimorët, me pasaportat e tyre prestigjioze, parakalonin pa ngecje përpara policëve të emigracionit. Malajzia është një prej vendeve të pakta në të cilën shtete të ndryshme afrikane mund të udhëtojnë pa viza, megjithatë ishte mbi ta që përqëndroheshin të gjithë kontrollet. Skena tregonte mjaft mirë sesa qenë të rrënjosura dhe të dukshme pabarazitë e trajtimit mbi bazën e shtetësisë. Disa pasaporta bartin mbi vete një privilegj.

Kjo padrejtësi, e injoruar dhe e padurueshme, është një çështje sistematikisht e anashkaluar në debatet lidhur me emigracionin. Kush e ka këtë privilegj, udhëton në të gjithë botën pas pësuar e pa ngjallur dyshime dhe ka mundësi që të transferohet në një vend tjetër nga sot nesër pa ju dashur që të japë prova për legjitimitetin e tij si qenie njerëzore. Shpesh këta njerëz as nuk e kuptojnë gjithë këtë forcë të tyren. Për të gjithë të tjerët, situata është shumë ndryshe. Është para pak kohësh që ka filluar të flitet për një padrejtësi që godet afërsisht 4/5 e njerëzimit. Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara industria muzikore dhe ajo letrare e kanë denoncuar faktin se shumë shpesh muzikantëve dhe shkrimtarëve nga jugu i botës u refuzohen vizat. Më të goditurit janë afrikanët, edhe kur janë të ftuar të marrin pjesë në festival.

Sorie Koroma, i njohur si Sorie Kondi, është një muzikant nga Sierra Leone i moshuar dhe i verbër, virtuoz i muzikës kondi. Më 2017 do të duhej të jepte shfaqje në Mbretërinë e Bashkuar e në vende të tjera europiane dhe shpresonte që t’u hapte një treg të ri muzikantëve afrikanë në disa qytete të mëdha të Azisë. Me t’u konfirmuar datat e turnout, ka kërkuar vizë për Mbretërinë e Bashkuar në Freetoën, kryeqytetin e vendit të tij, duke ju drejtuar një prej atye agjencive të shërbimeve të cilave ambasadat u tenderojnë menaxhimin e kërkesave për viza. Delegimi i shërbimeve të caktuara përfaqësuesve vendorë është një metodë e kolauduar qysh nga kohërat e kolonializmit.

Pak kohë më pas, Koroma ka marrë një e-mail nga agjencia: lloji i vizës së kërkuar prej tij përgjithësisht lëshohet në 15 ditë ose më pak duke paguar një shërbim parësor mjaft të kushtueshëm. Megjithatë, saktësonte mesazhi, në rastin e tij procedura nuk kishte qenë lineare dhe agjencia nuk mund t’ia siguronte vizën në afatet e parashikuara. Koroma kishte dhënë më parë shfaqje në Mbretërinë e Bashkuar dhe praktikat e kujt udhëton shpesh përgjithësisht ecin më shpejt. Pas 60 ditësh, pasaporta e Koroma ishte ende në duart e autoriteteve britanike, pa kurrfarë shpjegimi dhe pas mundësi anullimi të praktikës. Artistit i është dashur që ta anullojë turneun.

Ia ka ndodhur njëlloj muzikantit ganez King Ayisoba, por ai ka arritur ta tërheqë në kohë pasaportën. Në shumë raste, ambasadat britanike në vendet e origjinës të kërkuesve apo qendra britanike ku shqyrtohen kërkesat, në Sheffield, i kanë mbajtur disa dokumente më gjatë sesa afatet zyrtare, duke i mbajtur artistët peng për javë ose për muaj të tërë, dhe duke i detyruar që të anillojnë spektakle në të gjithë botën. Problemi nuk është as paaftësia, as burokracia. Mbajtja për një kohë të caktuar e pasaportave është vetëm një prej mënyrave me të cilat Europa – që kërkon me këmbëngulje që t’i spostojë kufijtë e saj jugorë deri në Sahel – dëshiron që të kontrollojë lëvizjet e qytetarëve jo të bardhë. Zbulimi i këtyre metodave ka tronditur shumë perëndimorë, që i kanë kritikuar në rrjetet sociale ambasadat, politikat e emigracionit, korrupsionin, kthesën djathtas të Perëndimit, fashizmin, mostolerancën, domethënë shënjestrat e zakonshme të kësaj epoke. Disa drejtorë festivalesh britanikë kanë nënshkruar një apel për t’i bërë më transparente procedurat e hyrjes. Por është qesharake ta shikosh vetëm tani gjithë këtë indinjatë: Jashtë Perëndimit askush nuk është i befasuar.

Nga Vik Sohonie

/real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303