Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif.
Sipas Departamentit të Thesarit, sanksionet ngrijnë çdo pasuri që Zarif mund të ketë në Amerikë.
“Javad Zarif zbaton axhendën e pamatur të Liderit Suprem të Iranit (Ayatollah Ali Khamenei)”, tha sekretari i Thesarit Steven Mnuchin.
Ndërsa Zarif reagoi duke shkruar në Twitter se SHBA kishin vendosur sanksione ndaj tij sepse e konsiderojnë atë si një kërcënim për axhendën e saj.
Megjithatë, ai ka thënë se sanksionet “nuk kanë ndikim” në të apo familjen e tij pasi ai nuk ka prona jashtë Iranit.
Përveç ngrirjes së aseteve, Uashingtoni edhe do t’i kufizojë Zarifit aftësinë për të udhëtuar. Megjithatë, atij pritet që t’i mundësohet vizita në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, nën siguri të lartë.
Tensionet midis SHBA dhe Iranit janë rritur qëkur SHBA u tërhoqën vitin e kaluar nga marrëveshja bërthamore e firmosur në 2015, marrëveshje e cila synonte të frenonte aktivitetet bërthamore të Iranit.
Ka shqetësime në rritje se një numër i incidenteve të fundit në Gjirin Persik mund të çojnë në një konflikt ushtarak në rajon./real-news.tv/

