Shëndeti i Merkelit, tema kryesore në Gjermani

Përse më parë askujt nuk i ka rënë ndërmend kjo zgjidhje? Vizita e kryeministres së re daneze të enjten (11.07) në Berlin e shoqëruar me nderime ushtarake dhe kancelarja e i ftuari i saj qëndrojnë ulur në karrike. Fare të qetë dhe pa asnjë dridhje Merkel dëgjonte himnet e të dyja vendeve.

Të mërkurën sërish një atak dridhjesh

Të mërkurën (10.07) kancelarja 64 vjeçare pësoi një atak të tretë me dridhje brenda pak javëve, në kohën që qëndronte në hollin e nderit të kancelarisë. Por pak pas kësaj Merkel u paraqit ashtu siç e njohin atë të gjithë prej shumë vitesh. E qetë, e saktë, pa emocione të mëdha, me një buzëqeshje të lehtë: “Jam mirë. E kam thënë edhe një herë, që ndodhem në një fazë për ta kapërcyer atë që ndodhi gjatë nderimeve ushtarake së fundi me presidentin Selenskyj. Kjo fazë duket ende nuk ka kaluar, por ka përparime. Më duhet të jetoj një farë kohe më këtë. Unë jam mirë. Nuk ka arsye për t’u shqetësuar.” Këtë deklaratë ajo e bëri vetëm një orë pasi kishte pasur dridhje të forta për herë të dytë.

Shëndeti i Merkelit: Temë kryesore e gazetave bulevardeske 

A është e sëmurë kancelarja? Mos vallë ajo është në forcat e fundit? Një ditë pas atakut të fundit gazeta më e madhe bulevardeske e Gjermanisë shkruan: “Nuk ka të ndalur.” Në mes të qershorit Merkel priti presidentin e ri të Ukrainës, Volodymyr Selenskyj. Në hollin e kancelarisë ajo pati dridhje të forta. Nëntë ditë më vonë ndodhi e njëjta gjë. Në selinë presidenciale kështjellën Bellevue bëri betimin ministrja e re e Drejtësisë dhe kancelarja qendronte e sforcuar me duart para trupit, por shumë shpejt sërish ajo mundi të lëvizë.

Thjesht sepse nuk kishte pirë sa duhet lëngje?

Në rastin e parë të atakut gjatë ceremonisë së pritjes së presidentit ukrainas, Merkel tha se nuk kishte pirë ujë mjaftueshëm. Faktikisht atë ditë në Berlin bënte shumë nxehtë. Pas atakut të dytë gazetarët nga kancelaria deklaruan, se kemi të bëjmë me sa duket me një lloj reagimi psikologjik, që Merkel tashmë e ka konfirmuar zyrtarisht. (BotaSot)