Si futen prostitutat në burgjet shqiptare për të dënuarit “VIP”

Është zbuluar një skemë prostitucioni, e përhapur ndër vite nga bosët e krimit në burgjet shqiptare. Duke shfrytëzuar një të drejtë që ia njeh ligji atë të një takimi special 5 orësh njëherë në muaj me bashkëshortet, partneret ose bashkëjetueset, të burgosurit “VIP” kanë mundur të përfitojnë shërbimet e prostitutave në burgjet shqiptare.

Një burim nga departamenti juridik në drejtorinë e përgjithshme të burgjeve shpjegoi se si funksionon kjo skemë.
Prostitutat futeshin në burgje duke u shtirur si partnere apo bashkëjetuese. Për të treguar se ato ishin partnere të personave në qeli, mjaftonte të paraqisnin një vërtetim  të noterizuar që kushtonte  30 mijë lekë, përmes të cilit ato deklaronin se ishin partnere ose bashkëjetuese.

Por në fakt sipas ligjit për të dëshmuar se je bashkëjetuese  e dikujt duhen të paraqiten një mori me prova.

Neni 163  i Kodit të familjes thotë se “personat bashkëjetues mund të lidhin marrëveshje para noterit, ku përcaktojnë pasojat që rrjedhin nga bashkëjetesa”. Provat mund të jenë foto, video të festimeve familjare, llogari bankare të përbashkëta, dokumente bashkëpronësie etj.

Pikërisht këto prova për të vërtetuar statusin e bashkëjetueses,  nuk janë kërkuar asnjëherë në burgjet Shqiptare, duke i hapur dritën jeshile futjes së prostitutave, nëpër burgjet shqiptare.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili ka shpërndarë një urdhër, ku u kërkohet të gjithë zyrave juridike në burgje të mos mjaftohen thjesht me një vërtetim të noterizuar.