Situata me gratë naftëtare në Ballsh rëndohet, tërhiqen nga vendimi për të marrë dhe fëmijët e tyre në grevë

download.jpeg-1.jpg

Greva e naftëtareve në Ballsh sot hyri në ditën e njëmbëdhjetë ndërsa gratë kanë anuluar vendimin për të marrë fëmijët nesër në ambientet ku po vijojnë rezistencën për të marrë pagat e prapambetura.

Një ditë më parë, nënkryetari i Sindikatës tha se nga e hëna është menduar që grevës së urisë t’i bashkohen fëmijët dhe familjarë të tjerë. “Nga e hëna kemi menduar të sjellim fëmijët, përderisa zoti kryeministër nuk reagon”, deklaroi ai.

Por sot vendimi ndryshoi me argumentin e koronavirusit. “Nuk do t’i sjellin fëmijët për momentin për shkak të frikës nga covid-19” tha sot nënkryetari i Sindikatës jashtë kamerave për mediat.

Një gjë të tillë e nënkuptoi edhe njëra nga grevistet kur u shpreh sot se “Ne e kemi menduar atë gjë, por kemi dëshirë që kauzën ta çojmë vetë, por nuk e dimë si do të na marrë rrjedha” theksoi ajo.

Sot njëra prej grave naftëtare është zëvendësuar, pasi shoqja e saj Silva Fejzaj u dërgua me urgjencë mbrëmë në spitalin e Ballshit. Gratë shprehen të vendosura për ta vijuar duke mos hequr dorë nga kërkesat e tyre për pagat e prapambetura.

“Padyshim do ta vazhdojmë, nuk kemi se ku të shkojmë. Të na japin lekët të ushqejmë fëmijët, na presin të shkojmë me lekë në shtëpi, t’u blejmë bukë dhe ilaçe”, tha njëra prej tyre.
Referuar thirrjes së kryeministrit për ndërprerjen e grevës si kusht për të negociuar, një tjetër prej grave e cilësoi si papërgjegjshmëri, pasi theksoi se nuk po kërkojnë lëmoshë, por djersën e tyre.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303