Skandal, Veliaj ngre memorial për të vrarët në mbrojtje të Erdoganit gjatë grushtit të shtetit

Në një rast krejt të paprecedentë Bashkia e Tiranës ka ngritur një monument përkujtimor në Parkun e Liqenit, në nder të 251 qytetarëve turq të vrarë gjatë grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.

Po në këtë vend, me mbështetjen e qeverisë turke, Bashkia ka mbjellë aty 251 rrape të sjella nga Turqia, dhe rrugës i ka dhënë emrin “Dëshmorët e 15 Korrikut”.

Memoriali përmban emrat e 251 qytetarëve të vrarë në mbrojtje të qeverisë së Presidentit Erdogan, gjatë tentativës për grusht shteti tre vjet më parë në Turqi.

Turqit-Monumenti-Liqeni (1) Turqit-Monumenti-Liqeni Turqit-Monumenti-Liqeni1 Turqit-Monumenti-Liqeni2
<
>

Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në botë që i ngre memorial viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi.

Gjithashtu, në vendin tonë nuk ekziston asnjë memorial i ngjashëm për asnjë vend tjetër në botë. Ndërsa nuk është ngritur asnjë memorial për viktimat e komunizmit apo ngjarjeve të tmerrshme të ndodhura në Shqipëri pas viteve ’90.

Nuk është e qartë se kur, mbi bazë të cilit motiv dhe procedurave Bashkia ka vendosur ngritjen e memorialit.

Njoftimi për përurimin e rrugës, parkut dhe memorialit nuk është shfaqur në asnjë nga faqet e Bashkisë Tiranë, ku paraqitet çdo aktivitet i saj dhe i drejtuesve të bashkisë. Përkrah Ambasadorit të Turqisë Murat Ahmet Yoruk, në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbian Mazniku.

Përpara përurimit, Ambasada e Turqisë organizoi edhe “Marshimin e Fitores së Demokracisë”, nga Sheshi “Nënë Tereza” deri te parku që Bashkia Tiranë ka ngritur në nder të viktimave nga organizatorët e grushtit të shtetit.