Skënderbeu, trajnerit Shehi nuk i ndahen problemet

Kur të vjen e keqja hapi derën! Dhe te Skënderbeu situata aktuale nuk është aspak pozitive. Pesë humbje radhazi si kurrë më parë në këta vitet e fundit, një gjendje amullie dhe përshtjellimi në prijte të fjalës së KAS-it dhe… dëmtimet! Orges Shehi ka shumë ndeshje që nuk e ka të plotë grupin e lojtarëve dhe nga njëra ndeshje në tjetrën duhet të organizojë çdo gjë me mungesa të rëndësishme në dispozicion.

Në sfidën e fundit kundër Partizanit mungonin katër lojtarë, po kaq edhe në përballjen e sotme kundër Kastriotit. Tre prej tyre janë të formacionit titullar dhe lojtarë që kanë mbajtur peshën e pjesës së parë të sezonit. Përveç Dejvi Bregut, i cili është një mungesë fiske që pas dëmtimit në shpatull në miqësoren me Tiranën, kundër krutanëve Shehi nuk do të ketë dy titullarë të tjerë.

Gjergj Muzaka dhe Bruno Dita nuk kanë arritur të rikuperojnë në kohë për shkak të gjendjes virale që po kalojnë dhe sot në orën 14:00 nuk do të jenë të gatshëm. Vetëm një mrekulli mund të bëjë që dy mesfushorët të jenë në gjendje loje, por në stërvitjet e fundit nuk kanë qenë prezentë dhe kjo të bën të mendosh se as sot nuk do të jenë në fushë. Përveç tyre, mungesë e sigurt është edhe ajo e të dëmtuarit tjetër, Bruno Lulajt.