Sot, 70 vjet nga vdekja e Mid’hat Frashërit…

Sot shënohet 70-vjetori i ndarjes nga jeta të publicistit, shkrimtarit, përkthyesit, albanologut, diplomatit dhe veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Mid’hat Frashëri (1880-1949).

Kujtime

“…Për bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, Midhat Frashëri, si themeluesi dhe kryetar i Ballit Kombëtar, ishte jo vetëm një udhëheqës politik, por e konsideronin edhe si udhëheqës shpirtëror, si një shëmbull patriotizmi të vërtetë dhe atdhedashurie të shëndosh. Në ambientin e zyrës ku punoja me këta patriotë, ish-kolegë të mi, pothuaj nuk kalonte asnjë ditë që njëri ose tjetri prej tyre të mos kujtonte diçka nga koha që kishin kaluar me Midhat Frashërin, të cilët si besnikë tij që ishin, më tregonin se ai iu referohej atyre si “djemtë e mijë”. Këta ishin ndër ata që kishin shkuar këmbë për këmbë me Midhat Frashërin, ose siç e quanin shpesh edhe me pseudonimin, Lumo Skendon, ose “Lumua” që ishte bërë si emër i dytë i tij. “Lumua ka thënë kështu, Lumua më ka thënë këtë….”, ishte pothuaj një refren i përditshëm i ish-kolegëve të mi, sidomos gjatë pushimeve kur shkonim për kafe, pas transmetimit të programeve në ndërtesën e VOA-s. Kujtimi i tij rrahte në zemërat e tyre dhe ishin të përbetuar që të ruanin porositë e tij dhe të luftonin me dije e me penë për të çuar në vend amanetin e Midhat Frashërit, për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një “Shqipëri të Shqiptarëve”, siç thonin ata…”

Jetëshkrim

Mid’hat Frashëri ishte publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat dhe veprimtar i çështjes kombëtare shqiptare. Lindi në Janinë më 1880 dhe ishte i biri i Abdyl Frashërit, patriotit të shquar shqiptar. Mid’hat Frashëri njihet edhe me pseudonimet “Lumo Skëndo” dhe “Mali Kokojka”. Mësimet e para i mori nga Naim dhe Sami Frashëri. Nën ndikimin e tyre, ai mori një kulturë të gjerë dhe zotëroi disa gjuhë të huaja. Në vitin 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik.

Në vitet 1923-1925, mbajti detyrën e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë në Athinë. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre, Mid’hat Frashëri protestoi për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nga qeveria greke. Në vitet 1926-1939 hapi librarinë “Lumo Skëndo” në Tiranë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore drejtoi organizatën e Ballit Kombëtar. Në përfundim të luftës, fillimisht shkoi në Itali dhe më pas në Londër, ku formoi Komitetin “Shqipëria e Lirë”. U nda nga jeta më 03.10.1949, në hotelin “Ëinthrop” të Nju Jorkut dhe u varros në varrezat “Fernchiff” të SHBA. Është dekoruar me urdhrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Krijimtaria

Veprimtaria letrare, socio-kulturore dhe politike e Mithat Frashërit është shumëdimensionale.
Ai është konsideruar si njëri nga intelektualët më të shquar të brezit të vet. Gjatë pesë dekadave të sundimit të oktopodit komunist ai mbeti i hetuar dhe u quajt “reaksionar”, “tradhtar” etj. E vetmja tradhti që kishte bërë ishte ajo ndaj ideologjisë komuniste dhe ideologëve të saj.

Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit, më 14 nëntor- 22 nëntor 1908. Mithat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta). Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri, duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i Botores.

Mithat Frashëri është marrë me veprimtari publicistike dhe letrare si dhe ka përkthyer disa vepra. Nën drejtimin e tij janë botuar “Kalendari Kombiar”, “Lirija” dhe “Dituria”. Ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, novelat “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese socio-politike dhe etnike “Plagët tona” etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et a la l’Etranger ” (1919), “Albanis et Slaves” (919). Mit’hat Frashëri ka përkthyer në shqip veprat “Guillaume Tell” të Lamartinit (1898), “Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofmanit (1900), “Robinson Crusoe” e Defosë (1909) dhe “Psikologjia e edukatës” e G. Le Bon (1923).