Është mbyllur sot java e 31-të e Kategorisë Superiore të kampionatit kombëtar të futbollit.
Me 5 javë nga fundi, situata mbetet akoma e hapur në disa fronte, sidomos në garën për kapjen e kupave të Evropës.
Partizani u ndal në një barazim me Laçin, dhe tani e sheh veten në kuotën e 62 pikëve në vendin e parë. Vetëm barazim edhe për Kukësin ndaj Teutës, dhe mbetet po 10 pikë larg të kuqve. Në vendin e tretë Flamurtari, që u mund në Korçë nga Skënderbeu, në kuotën e 48 pikëve.
Teuta ndjek në vendin e katërt me 47 pikë, ndërsa Skënderbeu një pozicion më poshtë, gjithashtu me 1 pikë më pak se durrsakët. Në garë për Europën gjithashtu edhe Laçi, që në vendin e gjashtë, numëron 45 pikë.
Më poshtë, akoma e nxehtë gara për mbijetesën. Luftëtari në vendin e shtatë gjendet me 39 pikë, dhe pasi barazoi me Tiranën, e mban në 2 pikë poshtë vetes. Ndërkohë, në vendin e nëntë gjendet Kastrioti, që pas fitores në tavolinë me Kamzën, numëron 34 pikë.


