Të burgosurit shqiptarë në Itali, komunikim me skype me familjen çdo 6 muaj

Të burgosurit shqiptarë në Itali do të kenë mundësi që një herë në 6 muaj, të komunikojnë për 1 orë me familjarët e tyre përmes Skype.

Ky është vendimi i Ministrisë italiane të Drejtësisë, nga i cili do të përfitojnë 2588 shtetasit shqiptarë që vuajnë dënimin në Itali. Kjo risi, synon të lehtësojë komunikimin mes të burgosurve dhe familjarëve.

Kjo formë e re komunikimi është menduar në radhë të parë, për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që kanë prindërit në burg.

Nga aspekti procedurial komunikimet përmes Skype do të realizohen përmes autorizimeve e kontrolleve përkatëse siç bëhet në rastet e takimeve fizike me të dënuarit. Komunikimi audio-vizual do të zgjasë 60 minuta.

Brenda burgjeve italiane janë vendosur postacione të caktuara për të realizuar komunikimet Skype mes të burgosurve e familjarëve.

Sipas të dhënave, mësohet se deri në 31 janar 2019, në institucionet e vuajtjes së dënimit, rezultojnë 2588 shqiptarë, 30 prej të cilëve femra.

Kjo formë e re komunikimi do të aplikohet për të gjithë të dënuarit në burgjet italiane.