Kanë shkaktuar sërish tension banorët e zonës së Astirit udhëhequr nga ish-deputeti Klevis Balliu me forcat e policisë pranë ministrisë së Punëve të Brendshme.
Banorët që kundërshtojnë projektin e Unazës së Re, dhe që i janë bashkuar protestës së opozitës, kanë tentuar të çajnë gardhin metalik në pjesën e ministrisë që lidhet me pedonalen.
Një hapësirë e rrethuar me forca policie për të garantuar kalimin e deputetëve përmes pedonales drejt Parlamentit, për tju bashkuar seancës plenare.

Forcave të rendit i janë bashkuar edhe efektivët e Shqiponjave, të cilët i kanë larguar protestuesit nga gardhi rrethues.
Disa gra janë ndaluar nga punonjëset e policisë gra, për t’i larguar menjëherë nga rrethimi i sigurisë pasi kujtojmë se në Ministrinë e Brendshme sot mbërrin një delegacion holandez.
Të mbështetur nga ish-deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi e cila tentativën e policisë për të garantuar sigurinë e delegacionit e quan dhunë të policisë ndaj grave dhe vajzave.
‘Kemi marrë leje për të protestuar, paqësore, por nuk na lejojnë, parlamenti është i rrethuar nga populli. Mund të vendoset dorë ndaj grave dhe vajzave? Kjo është e tmerrshme, policia ka vendosur dorë mbi gratë!”, tha Vokshi.

Në Ministrinë e Brendshme sot mbërrin një delegacion holandez për një takim që do të mbajnë me ministrin Sandër Lleshaj. Ai do të takojë ministrin e Sigurisë dhe Drejtesisë së Holandës.


