TË FUNDIT

Tërheqja e SHBA nga INF, Putin mbledh këshillin e sigurisë

Presidenti rus Vladimir Putin diskutoi me këshillin e sigurisë së vendit tërheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) nga Marrëveshja e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF).

Sipas një deklarate të Kremlinit, këshilli “kishte një diskutim të thellë mbi stabilitetin strategjik dhe sigurinë ndërkombëtare në kontekstin e tërheqjes së pritshme të SHBA-së nga traktati INF”.

Ditën e sotme, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, njoftoi se vendi i tij do të pezullojë pjesëmarrjen në traktatin e armëve bërthamore më 2 shkurt për shkak të “shkeljeve” të Rusisë ndaj paktit, duke nisur procesin sipas nenit 15 të marrëveshjes.

Tërheqja vjen pasi SHBA dhe Rusia, nënshkruese të paktit në vitin 1987, së fundmi kanë akuzuar njëra-tjetrën në lidhje me marrëveshjen. SHBA pretendon se Rusia nuk ka respektuar marrëveshjen, çka Rusia e ka mohuar vazhdimisht.

Në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel në dhjetor të vitit të kaluar, Pompeo i kishte dhënë Rusisë një afat prej 60 ditësh për ta respektuar marrëveshjen INF, afat i cili përfundoi sot.

Anulimi i marrëveshjes ka shkaktuar shqetësime se gara e armëve mund të intensifikohet dhe të kërcënojë sigurinë e Evropës.

Pas njoftimit për tërheqje të SHBA-së, vendi do të ndahet tërësisht nga marrëveshja teknikisht pas një periudhe prej 6 muajsh.

INF u nënshkrua në vitin 1987, nga kreu i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev dhe presidenti i atëhershëm amerikan, Ronald Reagan, me qëllim të eliminimit të perspektivave të luftës bërthamore në Evropë./real-news.tv/

 

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat