Theresa May sot dorëhiqet zyrtarisht nga drejtimi i Partisë Konservatore, duke e hapur zyrtarisht garën për zgjedhjen e pasuesit të saj deri në fund të korrikut.
Por, ajo do të vazhdojë të mbetet kryeministre e Britanisë derisa të zgjidhet pasardhësi i saj.
Teknikisht, May mund t’i lërë menjëherë vendin liderit të ri të konservatorëve, pasi ky të zgjidhet.
Megjithatë, nuk duket se ka për synim të lërë para kohe një boshllëk pushteti në Downing Street.
Njëmbëdhjetë ligjvënës do të garojnë për kreun e konservatorëve – partisë në pushtet, e cila automatikisht prodhon edhe kryeministrin.
Procesi i përzgjedhjes do të nisë më 10 qershor.
May ka paralajmëruar dorëheqjen muajin e kaluar, pasi Parlamenti ka refuzuar tri herë marrëveshjen që ajo ka negociuar me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë nga BE.
May pritet të konfirmojë dorëheqjen në një letër dërguar Komitetit të Konservatorëve.
Ish-sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, mbështetës i zëshëm i Brexit, është favorit për të pasuar kryeministren May.
Në muajin prill, BE-ja i ka dhënë Britanisë edhe gjashtë muaj kohë për të dalë nga blloku, me shpresën se ligjvënësit do të pajtohen për një marrëveshje.
Afati i ri për Brexit është 31 tetori./real-news.tv/

