Tragjedia / Kur jeta të kushton 30 mijë lekë/muaj

Policia ka arrestuar dy drejtues të firmave private që montuan skelën e cila u shemb duke sjellë vdekjen e dy punëtorëve dhe plagosjen e tre të tjerëve të premten në Tiranë.

Pronari i skela “Syla” është shpallur në kërkim për shkelje të rregullave të sigurisë në punë. Dy punëtorët që humbën jetën paguheshin me 30 mijë lekë të reja në muaj, ndërkohë që skelat ishin montuar jashtë pallatit në maj të këtij viti.

Edhe një ditë pas ngjarjes, pjesë të konstruktit të shembur kanë mbetur në ajër gjysmë të montuara duke u bërë rrezik për kalimtarët dhe për banorët.

Dy drejtues të kompanive private janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në lidhje me shembjen e skelës në rrugën “Faik Konica”, ku dy punëtorë mbetën të vdekur dhe tre u plagosën.

Xhimi Tarushi, 41 vjeç, Drejtues Teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe Ilir Bendo, 44 vjeç, drejtues Teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”, u arrestuan për shkelje të rregullave në punë, ndërkohë që është bërë shpallja në kërkim e shtetasit Petrit Sylaj, administrator i firmës skela “Syla”.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur gjatë kryerjes së punimeve në fasadën e jashtme të pallatit për veshjen me sistemin termoizolues(kapot).

Punëtorët sapo kishin nisur punën për zhvendosjen e skelës, me qëllim nisjen e punës në fasadën ngjitur. Materialet e hequra nga skela e parë janë zhvendosur tek tjetra, duke akumuluar një peshë të madhe, çka është bërë shkak për aksidentin ku humbën jetën Ergys Brahimaj dhe Orjan Kodra.

Ata mbetën nën hekura e dërrasa dhe ndihma e parë nga kolegët e tyre nuk dha rezultat.

Ishin forcat zjarrfikëse që pas 90 minutave bënë zhvendosjen e skelave metalike, të cilat kishin zënë poshtë 2 prej punëtorëve të cilët nuk mbijetuan.

Puna për rikonstruksionin e jashtëm të pallatit kishte nisur në muajin maj, me një fond për përmirësimin dhe termoizolimin e fasadave rreth 13 milionë lekë.

Rreth 15 punëtorë ishin angazhuar, ndërsa paguheshin me 30 mijë lekë në muaj.