Një komision demokrat nga Kongresi amerikan depozitoi të martën një padi në një gjykatë federale, ndaj institucioneve që nuk po bëjnë publike shlyerjen e detyrimeve tatimore nga presidenti Donald Trump dhe bizneset e tij.
Sipas mediave amerikane, komisioni ka paditur Shërbimin për Mbledhjen e të Ardhurave dhe Departamentin e Thesarit, pasi sekretari i tij Stiven Mnushin refuzoi kërkesën ligjore për të dorëzuar dokumentet e presidentit dhe po ashtu thirrjet për të dëshmuar në Kongres.
Padia shënon fillimin e asaj që pritet të jetë një betejë e gjatë gjyqësore dhe që sipas mediave amerikane ka gjasa të përfundojë në Gjykatën Supreme.
Nga administrata presidenciale nuk ka patur një koment, por avokati i Trump, Xhej Sekulou deklaroi se do t’i përgjigjet me të gjitha forcat asaj që e quajti “persekutim presidencial”.
Demokratët kërkojnë të dhënat mbi detyrimet tatimore të Donald Trump nga viti 2013 në 2018, që sipas ekspertëve ligjorë mund të hedhin dritë mbi bizneset e presidentit.
Një proces i tillë gjyqësor, sipas specialistëve, mund të rrjedhë me ngadalë dhe të kthehet në një argument në zgjedhjet e 2020-s.

