Trump para Kongresit: Do ta ndërtoj murin

Presidenti amerikan, Donald Trump mbajti të martën fjalimin mbi gjendjen e vendit. Presidenti foli para një Kongresi të ri të zgjedhur në nëntor.

Ky ishte fjalimi i dytë mbi gjendjen e vendit që mban Presidenti Trump që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë.

“Shumë prej nesh bënë fushatë me të njëjtat premtime: mbrojtje të vendeve të punës dhe tregti e drejtë për punëtorët amerikanë; rindërtimi dhe përmirësimi i infrastrukturës së vendit; ulja e çmimeve për kujdesin shëndetësor dhe ilaçet; krijimi i një sistemi të emigracionit që është i sigurtë, i ligjshëm dhe modern, si dhe një politikë e jashtme që vë në plan të parë interesat e Amerikës.

Mundësi të reja i paraqiten politikës amerikane me kusht që të kemi kurajon që t’i shfrytëzojmë. Fitorja nuk kërkon që të shënojë pikë partia jonë. Fitorja arrihet kur fiton vendi”, deklaroi Trump.

Emigracioni, një ndër temat parësore që ka theksuar në politikat e brendshme presidenti Trump, ishte edhe në fokusin qendror të fjalimit mbi gjendjen e vendit.

“Asgjë nuk e dëshmon më qartë ndarjen e thellë mes klasës politike dhe klasës punëtore amerikane se sa emigracioni. Sot ju bëj thirrje të mbroni kufirin jugor të vendit tonë në emër të dashurisë për njerëzit tanë. Politikanë që jetojnë në lagje të mbrojtura, pas hekurave, nuk duan t’ia dinë për klasën punëtore amerikane që preket nga mbingarkimi i shkollave, i spitaleve, rreziku ndaj jetës, ndërkohë që pagat e tyre dëmtohen nga konkurrenca e imigrantëve”, tha ai.

Presidenti kërkoi nga Kongresi mbështetje për propozimet që ai ka parashtruar për zgjidhjen e sfidave që sjell emigracioni:

“Administrata ime i ka dërguar Kongresit një propozim të logjikshëm për t’i dhënë fund krizës në kufirin tonë jugor. Propozimi përfshin asistencë humanitare, më shumë zbatim të ligjit, zbulimin e drogave në portet tona, mbylljen e të çarave që mundësojnë trafikimin e fëmijëve, si dhe plane për një barrierë të re fizike, ose një mur, për të siguruar zonat e gjera ndërmjet pikave hyrëse kufitare. Në të kaluarën, shumica e njerëzve në këtë sallë votuan për një mur, por muri i vërtetë nuk u ndërtua kurrë. Unë do ta ndërtoj”, theksoi ai.

Ai përsëriti politikat e tij të mbrojtjes së tregut amerikan të punës dhe synimin e tij që në shkëmbimet tregtare me vende të tjera të vërë në plan të parë interesat e punëtorëve dhe kompanive amerikane./real-news.tv/