Turqia ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet ndaj sanksioneve të SHBA-së. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Ankaraja do të ndërmarrë veprime nëse Washingtoni vendos sanksione. Cavusoglu tha në mediat turke se Turqia ka të drejtë të vendosë për blerjet e saj si një shtet i pavarur dhe i lirë.
SHBA-ja e ka kërcënuar Turqinë me sanksione për shkak të marrëveshjes me Moskën për blerjen e sistemit raketor rus S-400. Ajo thotë se ky sistem raketor është një rrezik për avionët e saj luftarakë F-35 pasi mund ti dekonspirojë sekretet ushtarake
Marrëveshja e Turqisë me Rusinë ka krisur marrëdhëniet e saj me SHBA-në.
“Nëse Turqia vazhdon planet e saj për blerjen e sistemit raketor rus atëherë pasojat do të jenë shkatërruese për bashkëpunimin e saj me NATO-n” tha muajin e kaluar Kathryn Wheelbarger, ushtruese e detyrës së ndihmës sekretares amerikane të Mbrojtjes
Wheelbarger tha gjithashtu se kjo marrëveshje do ta dëmtonte aftësinë e Turqisë për të punuar me aleancën perëndimore dhe do ta detyronte Washingtonin të vendoste sanksione ndaj Ankarasë.
Cavusoglu tha se Turqia do të përgjigjet me “masa të njejta” nëse Washingtoni i vë sanksione./real-news.tv/

