Presidenti Ilir Meta uron të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Kurban Bajramit.
Në këtë ditë të veçantë për të gjithë besimtarët, Meta në mesazhin e tij nuk i është larguar krizës politike në vend, teksa ka bërë sërish thirrje për dialog.
Kreu i shtetit mes të tjerash uron që bashkëjetesa fetare të nxisë më shumë tolerancë, dialog gjithpërfshirës dhe bashkëpunim.
‘Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar’, shkruan Meta.
Mesazhi i plotë:
Të dashur besimtarë myslimanë shqiptarë!
Gëzuar Festën e Kurban Bajramit!
Në këtë ditë të shenjtë, feste e bashkimi, kur ne ndajmë begatinë tonë me njerëzit në nevojë dhe solidarizohemi me ta, ju uroj nga zemra sa më shumë mirësi, mirëkuptim e dashuri në familjet tuaja dhe mes njëri-tjetrit!
Kjo festë që vërteton harmoninë e bashkëjetesën tonë fetare, uroj të na nxitë për më shumë tolerancë, dialog gjithpërfshirës dhe bashkëpunim, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të mirë e të begatë për brezat e rinj dhe një Shqipëri si gjithë Europa!
Dita simbol e sakrificës sublime në emër të vlerave më të mira njerëzore e hyjnore, na fton të ngrihemi mbi interesat personale, për të menduar më shumë për interesin e përbashkët kombëtar, për të shëruar njëherë e përgjithmonë plagët e thella të shoqërisë sonë, varfërinë, korrupsionin, polarizimin e tejskajshëm, arrogancën dhe padrejtësinë, për t’u përkujdesur e shtuar vëmendjen për fëmijët jetimë, të moshuarit, të vetmuarit dhe për të gjithë ata që luftojnë me vështirësi dhe me sëmundje.
Të bashkuar rreth vlerave më mira njerëzore, hyjnore e kombëtare, rreth familjes e kombit ne do t’ia dalim, pavarësisht kostove e sfidave që kërkohen!
Nga mot Gëzuar Kurban Bajramin!??

