fbpx

Valë e dytë e koronavirusit në vjeshtë?! Ja ç’thotë epidemiologu shqiptar

Paralajmërimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë përmes Drejtorit Rajonal Hans Kluge se një valë e dytë e koronavirusit akoma më e fortë se e para do të godasë Europën në dimër është një nga skenarët që epidemiologët mendojnë se mund të prekë dhe Shqipërinë.

Ilir Alimehmeti analizon masat e marra nga qeveria gjatë pranverës dhe sjell në vëmendje një studim të Universitetit të Harvardit.

“Sa më të rrepta të jenë masat aq më pak përqindje e popullatës kalon virusin dhe krijon antitrupa. Që do të thotë se përqindja e popullatës së ndjeshme në shtator, tetor, nëntor do të jetë pak a shumë e njëjtë si përqindja e popullatës në mars se nuk lejuam shpërndarjn e virusit. Disa shtete që e kanë lejuar deri diku duke pasur përqindje më të ulët në vjeshte do të kenë më pak raste dhe më pak mbingarkese spitalore se çelësi është mbingarkesa spitalore. Ne deri më sot e kemi pas spitalin kurrë më shumë se 10%. Që do të thotë kemi pas mundësi për lehtësim masash. Pse e ka përmendur këtë masë? Se është mundësia me e keqe. Që vala e vjeshtës të jetë me e ashpër se e pranverës sepse mbivendoset me viroza të tjera”, tha Alimehemeti ne abc.

Ndërkohë epidemiologu Ilir Alimehmeti tregon se dhe 2 skenarë të tjerë më të butë, parashikuar nga Universiteti i Minesotës.  “Le ta marrim si puna e tërmetit. Kjo është vala e madhe dhe do të ketë valë pasgoditëse gjithnjë e më të vogla dhe zgjasin me vite. Është një mundësi tjetër. Ka dhe një mundësi tjetër të tretë e cila mund të shfaqi një valë tjetër në vjeshtë, më të butë dhe pastaj vazhdon me valë pasgoditëse më të buta.”

Studimet virologjike mungojnë, megjithkëtë klinicistët në vendin tonë thonë se koronavirusi është zbutur. Kjo periudhë sipas Alimehmetit duhet ti shërbejë autoriteteve shëndetësore për të marrë masa për të përballuar çdo situatë në shtator apo tetor. “Prandaj na duhen testet në popullatë. Të kuptojmë sa përqind e popullatës sot e ka virusin apo ka antitrupa. Të kuptojmë sa e rëndë ishte kjo sëmundje tek ne dhe e dyta të bëjmë gati shërbimet spitalore në rast se kjo valë përsëritet më e lartë.”

Në Shqipëri nuk është ndërmarrë ende ndonjë studim për të parë sa përqind e popullsisë është prekur nga koronavirus. Instituti i Shëndetit Publik është bazuar në hetimin epidemiologjik të rasteve ndërsa testeve seriologjike aktualisht i janë nënshtruar personali shëndetësore dhe pacientë të prekur nga Sars CoV 2 të trajtuar në dy spitalet Covid.