Vangjush Dako, i njohur ndryshe në rrethin e tij të ngushtë edhe si xhuxhi, që bie në sy me ecjen e tij prej rrondokopi, do të mbahet mend gjatë jo vetëm për vjedhjen e votave në Qarkun e Durrësit, por edhe si njeriu që betonizoi dhe shkatërroi qytetin antik.
Vangjush Dako katapultoi në administratën shtetërore, dhe më pas në krye të bashkisë së Durrësit me një background të ‘pasur’ në fushën e industrisë së ndërtimit, që nga viti i mbrapshtë, 1997.
Në vitet, 2001-2002, Vangjush Dako bëhet Drejtor i Policisë Ndërtimore në qarkun e Durrësit, një post ky që do t’i shërbente edhe ish kompanisë së tij të ndërtimit
Sipërmarrjen në fushën e ndërtimit e ‘vijoi’ edhe gjatë drejtimit të bashkisë ku sapo shkeli në zyrë vendosi të groposë hapësirat arkeologjike të këtij qyteti.
Në 2007 Vangjush Dako zgjidhet kryetar i Bashkisë së Durrësit, dhe ish-kompania e tij e ndërtimit, merr përmasat e një biznesi tepër të madh.
Që nga ai vit fillon fushata e betonizimit të qytetit për të shuar çdo gjë historike të tij.
E nisi me sheshin kryesor të qytetit duke e shtruar me pllaka betoni, për të vijuar më pas me projektet e tjera të betonizimit, ku më famshmi është ai i “Velierës”.
Për nisjen e punimeve të këtij projekti, një dorë të mirë Vangjush Dakos i dha edhe Gjykata Administrative e Apelit në mars të këtij viti, e cila lejoi bashkinë që të vijojë punimet mbi objektet arkeologjike që i përkasin shekullit të IV para erës sonë.
Duke mos pyetur për trashëgiminë e qytetit të dytë më të vjetër në Mesdhe, Dako me babëzinë e tij prej “Bob Ndërtuesi” lëshoi fadromat duke kafshuar një pjesë të konsiderueshme të qytetit antik të Durrësit.
Dako nuk pyeti as për protestat e shumta të qytetarëve dhe arkeologëve, duke u justifikuar se janë “akuza të pavërteta në lidhje me investimin e bashkisë dhe sidomos pas akuzave që janë hedhur në drejtimin tonë për shkatërrim të vlerave arkeologjike”.
I njëjti justifikim siç hidhej pupthi nëpër studio televizive teksa deklaronte se ishte akullore për vjedhjen e votave në Qarkun e Durrësit, derisa përgjimet telefonike provuan të kundërtën.
I zhytur në korrupsion, i lidhur me grupet kriminale të blerjes së votave, varrmihësi i qytetit të Durrësit, iu shtua listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilit i refuzoi vizën së bashku me familjen e tij.
Me një barrë mëkate në shpinë, si i akuzuar për vjedhjen e votave dhe varrmihës i qytetit të Durrësit, Vangjush Dako ka hesape për të larë me drejtësinë.
Për këtë arsye, ai u thirr në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të gjitha akuzat e bëra ndaj tij dhe i kapur në përgjime, këtë të premte.
Natyrisht, kjo e sotmja nuk është e ‘premtja e zezë’ e Vangjush Dakos, por një e ditë e tillë duket se është në prag për të paguar për të gjitha zullumet e tij, e mbi të gjitha si varrmihësi që groposi trashëgiminë arkeologjike të Durrësit antik.

