Kandidati i koalicionit të majtë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Erion Veliaj ka bërë një lidhje interesante mes Ilir Metës dhe Xhelal Mziut.
Nga njësia 7, Veliaj theksoi se axhendën presidentit po ia përcakton Xhelal Mziu i Kamzës.
Ai e ka konsideruar debatin politik dhe çdekretimin e datës së zgjedhjeve si një lojë të organizuar nga opozita.
Për këtë ai iu referua pikërisht paracaktimit të datës së re të zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës dhe të bërë publike nga kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu.
Sipas Veliajt, zbulimi i datës së re të zgjedhjeve nga ana e Xhelal Mziut, ndërkohë që Meta po bën konsultime me disa nga partitë e vogla dhe pa asnjë peshë politike për përcaktimin e një date të re.
Veliaj shtoi se kjo tregon më së miri se axhenda e Kreut të Shtetit përcaktohet nga opozita.
“Pjesa që më bëri për të qeshur është që Kamza thoshte është aq e suksesshme dhe zgjedhjet për inatin tuaj nuk do jenë në datën 30 qershor, zgjedhjet tha do jenë në datë 20 tetor. E kisha dëgjuar si thashethem, nga ata njerëz që rrinë vërdallë, Presidencës e SHQUP, por ta shihja të shkruar që axhendën e Presidentit të Republikës e paracakton Xhelal Mziu, ky është fundi i botës zyrtarisht. Kur mendon që budallallëku nuk ka fund, kur mendon që çdo idiotësi ka një limit, kur mendon që çudia e ka kap ekstremin e vet, jetojmë në Tiranë çdo gjë mund të ndodhë, ndodh çudia e gjithë çudirave. Xhelal sapo dekonspirove presidentin. U munduan ata të shkretët të bëjnë sikur konsultojnë partitë, edhe çfarë partish, partinë e Koços, që s’ka as deputet dhe as këshilltar, parti vulë humbura, pemëthyera që nuk kanë asnjë mandat të fituar me logon e tyre. Po konsultohen?! Dhe Xhelali ngaqë si rrihet derisa të bëjë budallallëkun e radhës sapo e dekonspiroi që ata e paskan caktuar edhe datën dhe gjithë kjo qenka një lojë”, tha Veliaj në fjalën e tij.

