VIDEO/ Albin Kurti paralajmëron Edi Ramën: Kujdes…

Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti e ka cilësuar si padrejtësi faktin që Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk iu hapën negociatat nga BE-ja. Gjatë aktivitetit ku mbrëmjen e sotme ishte i ftuar në Tiranë nga Qendra e Vetëvendosjes në Shqipëri për të festuar fitoren e zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, ai tha se së shpejti do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

“Padrejtësi që Shqipëria dhe Maqedonia nuk filluan negociatat. Ju takon dhe e kanë merituar. Minishengeni Ballkanik? Duhet kujdes në raportet me Serbinë, pasi dihet se çfarë u ka bërë shqiptarëve dhe para tre viteve bëri një puç në Maqedoni por dështoi. Sigurisht që do ta takoj së shpejti kryeministrin e Shqipërisë, por jo sonte. Është çështje ditësh dhe jo javësh kjo punë” tha ai.

Por a do të jetë Vetëvendosja në Shqipëri pjesë e zgjedhjeve? “Këta e kanë autonominë e qëndrimeve dhe vendimeve, nuk e diktoj unë” tha ai. I pyetur mbi krijimin e qeverisë së re, Kurti u shpreh se “Jemi duke biseduar ende me LDK, koalicioni ynë qeveritar është i pashmangshëm. Jemi duke biseduar për harmonizimin e programit dhe ndarjen e përgjegjësive në qeveri.

Populli vendosi që ndryshimit ti prijë Vetëvendosja. Me informacionin që kam Vetëvendosjes nga rinumërimi i janë shtuar 484 vota, ndërsa LDK 133. Këto janë më shumë simbolike, pasi substanca është aty, verdikti i popullit që më 6 tetor tha se regjimi i vjetër mbaroi” përfundoi ai.