TË FUNDIT

Vrasja e Festim Latos, dalin detajet e frikshme

Ndërkohë që sot Festim Lato është përcjellë për në banesën e fundit në qytetin e Vlorës, mediat holandeze vazhdojnë të nxjerrin detaje të reja nga aktivitetet e tij. Sipas shqiptarja.com, ai akuzohet se ka mashtruar me dhjetëra biznesmenë dhe vrasja e tij dyshohet se lidhet pikërisht me këtë gjë.

Një noter dhe disa ish-partnerë të tij kanë dëshmuar për mediat holandeze duke treguar si funksiononte sipërmarrja e mashtrimit të shqiptarit, i cili paraqitej si president i republikës së Çamërisë.

“Vincent” – i cili për shkak të frikës së hakmarrjes nuk dëshiron të tregojë emrin e tij të vërtetë -thotë se i dha ‘një shumë me pesë zero’ Latos, i cili i kishte bërë disa premtime.

“Ne shkuam në një takim ku tha se republika ishte themeluar dhe kjo ishte mjaft zyrtare, me diplomatë e njerëz me status” tha ai.

Sipas ‘Vincent’ vitin e kaluar Lato ishte duke u ndjekur nga policia. Hetimi kishte nisur pas denoncimit të personave që Lato kishte mashtruar. Një tjetër ish- punonjës thotë se ai ka pasur “të paktën shtatë milionë euro borxh”. Por një zëdhënës i policisë nuk pranon të komentojë.

“Dhe gjatë udhëtimeve ne ishim të shoqëruar nga truproja private të armatosura, qëndronim në hotele luksoze dhe lëviznim në Mercedes të blinduar“, thotë një holandez që ka punuar për të.

Ish-punonjësit thonë se Lato nganjëherë mbante një armë me vete dhe se ai dikur e kishte kërcënuar një prej kërcënuesve të tij me të.

‘Ai u bashkua me organizatat ndërkombëtare, organizoi konferenca dhe shkoi në Parlamentin Europian në Bruksel dhe Pallatin e Paqes në Hagë. Lato bënte shpesh foto para flamujve të vendeve evropiane dhe me personalitete“.

Drejtori i Pallatit të Paqes Erik de Baedts u shpreh se “Nuk e kemi njohur kurrë. Në qoftë se nuk do të kishte vdekur do të kishim marrë masa ligjore” pas falsifikimeve të shumta që ai kishte bërë.

“Ky njeri ka shkaktuar shumë mjerim. Ai çoi shumë familje në humnerë financiare duke i mashtruar për Çamërinë. Ai kishte falsifikuar dokumentet zyrtare, për të bërë të duket se organizata e tij kishte miliona euro nga Bashkimi Evropian. Ai u kërkoi njerëzve dhjetëra mijëra euro. Njerëzit e përfshirë pastaj do të shpërbleheshin bujarisht për këtë. Në disa raste ai përfshiu njerëz të ndryshëm në dorëzani dhe i vuri nën kontroll” thotë noteri, i cili shton se dëshiron të mbetet anonim për shkak të detyrës së tij të fshehtësisë. “E kuptoj se paratë që ai vodhi shkuan në Shqipëri. Duhet të ketë miliona euro. Si vdiq ai? Duket shumë e mundshme që të jetë hakmarrje. Me sa duket ai u ngatërrua me personin e gabuar“, ka thënë një noter.

Lato lindi në Vlorë në vitin 1976 dhe fitoi shtetësinë holandeze, pasi u martua me një turke me shtetësi holandeze. Lato ishte vetëshpallur si ‘President i Republikës së Çamërisë’ dhe në Shqipëri ishte shpallur ‘non grata’.

Ai është dënuar disa herë për mashtrim, pas denoncimeve nga shumë persona. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë ai është denoncuar dhe akuzuar për mashtrim me mijëra euro, që u merrte qytetarëve të ndryshëm me justifikimin për kauzën e Çamërisë

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat