Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se askush nuk i ka ofruar Beogradit asgjë në lidhje me çështjen e Kosovës përveç njohjes së saj brenda kufijve të njohur nga vendet perëndimore.
I pyetur nëse është e vërtet që i Dërguari Special i presidentit amerikan për negociatat Beograd-Prishtinë, Richard Grenell kërkoi në mënyrë të qartë njohjen e Kosovës dhe si kthim i ofroi investime, Vuçiç tha se kishte vetëm një bisedë pozitive me të.
“Askush nuk na ofron asgjë, përveç që të njohim një Kosovë të pavarur dhe tërësi brenda kufijve të saj. Nëse e dini ju që dikush më ka ofruar diçka tjetër atëherë më tregoni”, është shprehur Vuçiç.
Mediat serbe raportuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar Beogradit të arrijë marrëveshje me Prishtinën dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës, kurse nga ana tjetër, ata do të përfitojnë një konferencë për investime e cila në Serbi do t’i sillte kompanitë më të mëdha botërore.

