Numri i personave të infektuar me një virus të ri në Kinë u trefishua gjatë fundjavës, me virusin e përhapur nga Wuhan në qytete të tjera të mëdha.
Tani ka më shumë se 200 raste, kryesisht në Wuhan, megjithëse sëmundja e frymëmarrjes është zbuluar edhe në Pekin, Shanghai dhe Shenzhen.
Tre persona kanë vdekur nga problemet me frymëmarrjen që shkakton virusi i rrezikshëm.. Japonia, Tajlanda dhe Koreja e Jugut kanë raportuar raste të personave të prekur nga ky virus misterioz.
Rritja e mprehtë vjen ndërsa miliona kinezë përgatiten të udhëtojnë për pushimet e Vitit të Ri.
Zyrtarët shëndetësorë kanë identifikuar infeksionin, i cili u shfaq për herë të parë në Wuhan në dhjetor, si një lloj coronavirus. Ata thonë se kjo ka çuar në një shpërthim të pneumonisë virale, por shumë për të mbetet e panjohur.
Shkencëtarët nuk mund të përcaktojnë saktësisht se si është përhapur.
Ky shpërthim ka ringjallur kujtimet e virusit Sars – gjithashtu një koronavirus – që vrau 774 njerëz në fillim të viteve 2000 në dhjetëra vende, kryesisht në Azi. Analiza e kodit gjenetik të virusit të ri tregon se është më e lidhur me Sars se çdo koronavirus tjetër njerëzor.
Ekspertët në Mbretërinë e Bashkuar i thanë BBC-së, numri i personave të infektuar mund të jetë akoma më i madh se sa sugjerojnë shifrat zyrtare, me vlerësime afër 1,700.

