Thellohet skandali lidhur me dy vilat e kreut të PD-së, Lulzim Basha në rezidencën “Long Hill” në kryeqytet.
Megjithëse kryetari i PD-së u përpoq të manipulonte faktet duke deklaruar se po qëndronte përkohësisht, pasi banesa e tij po rikonstruktohej pas dëmeve të tërmetit, “Fiks Fare” zbulon detaje të tjera ndërsa risjell edhe një herë në kujtesë, denoncimet që PD bënte asokohë ndaj biznesmenit Agron Papuli, në kompleksin e të cilit Basha është strehuar sot.
Shtëpia ku pretendohet se po qëndron përkohësisht Basha, kushton 410 mijë euro, ndërsa për ta marrë me qira kushton 2400 euro në muaj.
Por çfarë thoshte Basha dikur për Agron Papulin?
Le ti kujtojmë me radhë, disa nga deklaratat e shumta që Basha artikulonte, dikur, kundër Agron Papulit, për të cilin hesht sot.
“Ne kemi denoncuar me dhjetëra afera, afera e fundit ka qenë ajo e Papulit i cili përfiton 1.8 milion euro nga dhënia me qira e makinave të policisë. 127 tendera ka marrë miku i tij Agron Papuli, që kur Edi Rama është bërë kryeministër. Rezulton që ka marrë 17.3 milion euro nga buxheti i shtetit, vetëm një njeri.”
Ndërkohë që në një tjetër dalje për mediat, Basha shprehej se Kompania “Fusha.shpk. në pronësi të Agron Papulit, mikut dhe ndërtuesit të vilës së Durrësit, jo të Dardhës, të Dardhës e ka dikush tjetër, ka fituar 19 tendera me vlerë totale 595 milion lekë.”
Po kështu një tjetër deklaratë e Bashës vijon:
“Edi Rama i vilës në Dardhë, për të cilën nuk ka treguar asnjë kupon, dhe i vilës në Durrës për të cilën nuk ka treguar asnjë kupon dhe s’ka paguar asnjë taksë, Agron Papuli ndërtuesi i këtyre vilave, vetëm tenderë ka marrë dy, drejtpërdrejtë, pa asnjë konkurrim” shprehej Basha.

