Kanë qenë gjurmët e gishtërinjve në syze që tradhtuan Redjan Rrajën dhe një person tjetër të shpallur në kërkim për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj.
Në makinë e braktisur u gjetën dy palë syze, të cilat Prokuroria i mori, sekuestroi dhe zbardhi se i përkisnin Rrajës dhe një personi tjetër ende të paidentifikuar.
Këto prova sqaruan për ReportTv se po analizohen së bashku me elementë të tjerë si analiza ADN-je, qeliza telefonike, deklarime, pyetje dëshmitarësh për të provuar skemën e organizimit të atentatit, personat e përfshirë, rolet e tyre dhe ata që shkrepën dy armët automatik.
Një ditë më parë gjykata e krimeve të rënda la në burg dentistin Redjan Rraja si person të dyshuar për përfshirjen në atentat, emrin e të cilit e zbuloi pas analizimit të gjurmëve në syzet në bordin e mjetit AA 342 LM.
Një tjetër provë në duart e hetuesve për zbardhjen e atentatit janë edhe pamjet filmike nga autostrada Durrës-Tiranë ku disa subjekte kanë fiksuar teksa Mercedezi rri nga pas Fuoristradës ku udhëtonte prokurori Ndoja dhe dy të plagosurit e tjerë.
Pista kryesore e hetuesve deri në këto momente është ajo e një ekzekutimi me pagesë nga persona të cilët kanë patur konflikte me prokurorin Ndoja e Ladi Muharremin, ndërsa rezulton se i arrestuari Rraja s’ka një konflikt të dokumentuar me personat e plagosur në atentat.

