Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara janë mbledhur për të diskutuar dhe më pas votuar për dy artikujt për shkarkim kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Dhoma e kontrolluar nga demokratët pritet të miratojë dy akuzat në kuadër të hetimeve për shkarkim të Trumpit: abuzim me pushtetin dhe pengim të punës së Kongresit.
Trump akuzohet se i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden, duke bllokuar ndihmën ushtarake për këtë shtet.
Më pas, ky proces pritet të kalojë në Senat për gjykim dhe largim të presidentit nga zyra, veprim që ka pak mundësi të ndodhë, pasi Senati kontrollohet nga republikanët.
Pak para nisjes së debatit, Trump ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se “nuk ka bërë asgjë të keqe”.

