Presidenti amerikan, Donald Trump, ka reaguar ndaj kërcënimit të Koresë Veriore se do t’ia japë Shteteve të Bashkuara një dhuratë për Krishtlindje, nëse nuk shënohet përparim për largimin e sanksioneve amerikane ndaj programit bërthamor të vendit aziatik.
Presidenti Trump ka deklaruar se po pret dhuratë nga vendi komunist.
“Ndoshta është një dhuratë e bukur”, tha presidenti Trump, kur u pyet se si do të reagonte ndaj Phenianit, nëse Koreja Veriore do të testonte raketa balistike gjatë festave.
“Ndoshta lideri i Koresë Veriore do të ma dërgojë një vazo me lule të bukura, e jo test të raketave. Mund ta marr një vazo. Mund ta marrë një dhuratë të mirë prej tij. Nuk dihet, kurrë nuk dihet”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Koreja e Veriut ka deklaruar më parë se ka kryer disa teste të raketave në një qendër për lëshimin e satelitëve gjatë këtij viti. Komandanti i Forcave Ajrore të Paqësorit tha se është e mundur që Koreja e Veriut të lëshojë raketë me rreze të gjatë veprimi gjatë festave të fundvitit.
Ky shtet i ka dhënë afat Shteteve të Bashkuara që deri në fund të vitit të paraqesë propozim të ri për lehtësimin ose tërheqjen e sanksioneve para se të marrë masa të reja për programin e tij bërthamor.
Duke qenë se SHBA nuk ka ndërmend të heqë sanksionet, zyrtarët ushtarakë amerikanë thonë se presin testime të reja të raketave balistike nga Koreja Veriore edhe gjatë Krishtlindjes.

