Ministria e Shëndetësisë, njoftoi mesnatën e djeshme, se dy persona kanë rezultuar pozitiv me koronavirus. Ata janë babë e bir dhe kanë udhëtuar nga Italia ditët e fundit përmes rrugës tokësore nga Hani i Hotit, me makinë personale. Sipas Ministrisë, gjendja e dy të prekurve, që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione. Ata po trajtohen në Spitalin Infektiv pasi përgjigjja e analizave doli mbrëmjen e së dielës.
“Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet”, thotë ministria në njoftim zyrtar.
Në përfundim, ministria përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në numrin 127.

