Detaje të reja dalin në dritë nga vrasja që tronditi Durrësin, ku 2 vëllezër mbetën të vrarë.
Mësohet se policia ka sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë që ndodhen në zonë, ndërsa pamjet tregojnë se vëllezërit janë qëlluar me breshëri nga dy persona. Dy vëllezërit janë ndjekur dhe kanë rënë pre e një prite, në lagjen nr 15 në zonën e NISHTULLËS, në Shënavlash të Durrësit, ku janë qëlluar me breshëri kallashnikovi brenda makinës së tyre Golf 6, me targa AA716ZZ.
Plumbat e shumtë që kanë tejshpuar xhamin e përparmë të makinës i kanë lënë ata të vdekur në vend. Vrasja e dyfishtë ka ndodhur te tregu i makinave, i cili njihet si tregu më i madh i makinave të përdorura në Shqipëri.
Autorët e krimit po përdornin një makinë Toyota ngjyrë gri, por nuk është bërë e mundur identifikimi i tyre.
Policia ka shoqëruar rreth 40 dëshmitarë okularë, ndërsa hetimet vazhdojnë dhe janë ngritur postblloqe të shumta për ndalimin e autorëve.
Përsa i përket zanafillës së vrasjes, dyshimet e para lidhen me një borxhe për makinat.

